Konsumatorët i kanë borxh Ngrohtores së Prishtinës “Termokos”, mbi 18 milionë euro. Drejtori ekzekutiv i këtij institucioni Arsim Fetahu thotë se rreth 100 milionë euro do të investohen për rritjen e kapaciteteve prodhuese gjatë tri vjetëve. Sipas tij, gjatë vitit 2021 ka pasur një rritje prej 1.35 milionë eurosh të faturimit të ngrohjes, ndërsa prodhimi i energjisë është shtuar me rreth 11%.
“Realisht gjatë vitit 2021 kemi pasur ngritje 1.35 milionë të shkallës së inkasimit. Edhe faturimi ka qenë 14% më i lartë edhe prodhimi i energjisë 11% më i lartë. Në koordinim me komunat do të vazhdojmë projekte për dyfishimin e kapaciteteve dhe vendosjen e matësve të ngrohjes dhe projekti i energjisë solare. Borxhet e konsumatorëve janë mbi 18 milionë euro. Kryesisht janë në periudha të mëhershme”, tha Fetahu.

Sipas tij, Zyra Ligjore është duke dërguar te përmbaruesi çdo konsumator që ka borxh më shumë se 50 euro dhe një prej arsyeve që ka ngritje të inkasimit është edhe metoda detyrimore me anë të përmbaruesit. “Termokosi” aktualisht ka rreth 15 mijë abonentë. “Gjatë tre viteve besoj që do të jetë vlera 100 milionë për rritjen e kapaciteteve prodhuese, dyfishimin e kapaciteteve prej 140 deri 280 megavat. Realizimi i projektit kushton rreth 25.7 milionë euro. Projekti tjetër ka të bëjë me vendosjen e matësve vlera e të cilit kalon 11 milionë dollarë, e cila është e financuar nga Qeveria amerikane. Deri në fillim të sezonit së ardhshme një pjesë e madhe e konsumatorëve do t’i kenë matësit e instaluar”, tha Fetahu.

Sipas tij, për qytetarët nuk ka alternativë më të mirë se ngrohja nga “Termokosi”. Madje, ai tha se gjithçka është duke u furnizuar normalisht, por që i vetmi problem është se “Termokosi” është duke punuar me një bllok të Termocentralit Kosova B1. “Për një qytetar që punon brenda vendit dhe jeton këtu nuk ka alternativë më të mirë se ngrohja me ‘Termokos’. Fatkeqësisht një pjesë e madhe e qytetarëve të Prishtinës po edhe qyteteve të tjera nuk e kanë këtë mundësi dhe janë detyruar të përdorin alternativa të tjera për t’u ngrohur. Sa i përket furnizimit me ngrohje është energjia më e lirë, siguria më e madhe e furnizimit. Gjithçka është duke u furnizuar normalisht i vetmi problem është se jemi duke punuar vetëm me një bllok të Kosova B1 dhe nëse arrihet të kyçet edhe blloku B2 do të marrim energji sa është e dëshirueshme edhe pse KEK-u ka bërë gjithçka që në këtë periudhë të ftohtë të na furnizojë me ngrohje”, tha Fetahu. /EO
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




