Ekonomi

Konsumatorët dhe biznesi pesimistë. Presin rritje kërkese, rënie të çmimeve

Nga Gazeta ‘SI’ Treguesi i ndjesisë ekonomike u rrit për herë të parë pas 4 muajsh, me 2 pikë, pas përmirësimit të besimit në ndërtim, shërbime, tregti dhe të konsumatorëve për muajin nëntor. Besimi në industri pësoi rënie.

Besimi në ndërtim u rrit me pothuajse 6 pikë përqindje, nga vlerësimet pozitive për kërkesën aktuale dhe punësimit në të ardhmen. Bizneset në sektorin e ndërtimit presin rritje tjetër të çmimeve.

Treguesi i besimit në shërbime u rrit me 3.2 pikë përqindje në nëntor, pas rënies së vazhdueshme. Ajo shënoi rritje ndikuar nga ecuria pozitive e sektorit dhe kërkesës. Vlerësimet e  bizneseve  të  shërbimeve për nivelin e punësimit nuk kanë ndryshime të  ndjeshme nga muaji i kaluar. Ata presin rënie të e çmimeve.

Treguesi i besimit në tregti u rrit me 0.5 pikë përqindje. Bizneset e tregtisë vlerësuan pozitivisht ecurinë aktuale të biznesit të tyre, si dhe presin rritje të lehtë të punësimit. Pritjet për çmimet që do të vendosin në të ardhmen janë vlerësuar në rënie.

Konsumatorët kanë rezultuar më optimistë në matjet e nëntorit, ku presin përmirësime në situatën ekonomike, gatishmëri për blerje në shuma të mëdha edhe në të ardhmen. Konsumatorët presin rënie të papunësisë dhe çmimeve.

Treguesi i besimit të industrisë ishte e vetmja që shënoi rënie, me 3.8 pikë përqindjeje krahasuar me muajin e kaluar. Në të kanë ndikuar vlerësimet më pesimiste për prodhimin aktual dhe kërkesën. Ndërkohë, pritjet e bizneseve për prodhimin në të ardhmen regjistruan një rritje të lehtë. Pritjet për çmimet janë në rënie këtë muaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë