Shendet

Konsultat jashtë vendit, fenomeni që nxjerr zbuluar krizën e besimit tek sistemi publik shëndetësor

Nga Gazeta Si- “Isha një fundjavë në Romë dhe zgjodha të bëj atje të gjitha konsultat e mia gjinekologjike, pap test, eko, vizitë me mjekun specialist, për një problem timin kronik që nuk kisha mundur ta zgjidhja në Tiranë. Mbarova punë brenda ditës dhe përgjigjen do të ma sjellin me email”.

Eleni nga Tirana, tregon për Gazetasi.al se megjithëse paguan taksa rregullisht, vizitat gjinekologjike ka zgjedhur t’i kryejë jashtë, pasi ka më shumë besim tek mjekët specialistë të huaj.

“Nëse do të zgjidhja të trajtohesha këtu, do të më duhej të prisja në radhë derisa të më vinte dita e konsultës, sipas sistemit të referimit. Po ashtu, në sistemin publik ofrohet vetëm konsulta ndërsa ekzaminimet duhet t’i bësh në klinika private pasi shteti nuk ofron asgjë”, vijon Eleni.

Sipas saj, ko është një përvojë që e ka hasur më herët, kur për të marrë recetën e mjekimit, iu desh të kalonte nëpër një kalvar sorollatjesh në dyert e qendrës shëndetësore dhe poliklinikës së lagjes.

“Ndaj i rashë shkurt dhe zgjodha t’i bëj të gjitha në një klinikë private jashtë”, vijon e reja, duke u ankuar për sistemin e referimit, që nuk dallon shumë me sistemin e referimit të vendeve fqinje.

Por duket se ajo që krijon diferencën është besimi që shqiptarët kanë gjithnjë e më shumë tek sistemi shëndetësor jashtë Shqipërisë.

Megjithëse kemi mjekë profesionistë, kushtet në të cilët punojnë, mungesat e kapaciteteve diagnostikuese, vonesat në zinxhirin e referimit, kanë mërzitur një pjesë të pacientëve që me shumë vështirësi trokasin në spitalet jashtë vendit apo klinikat për të kërkur zgjidhje.

“Unë kam vite ndiqem në Selanik për problemin tim. Atje kam gjetur mundësi të planifikoj më herët takimet me mjekun dhe të bëj kontrolle periodike dy herë në vit për të parë situatën shëndetësore. Nëse kam ndonjë problematikë që e has shpejt, e telefonoj dhe lëviz drejt Selanikut brenda ditës dhe kthehem madje”, thotë Anila, sipërmarrëse.

Por a është kjo një zgjidhje për të gjitha shtresat e shoqërisë?

Mjekët që nuk duan të citohen, thonë se jo të gjithë e kanë mundësinë për tu mjekuar apo vizituar jashtë, por sugjerojnë sidomos në rastet e sëmundjeve të tumorit, që trajtimet të bëhen në spitale të specializuara jashtë vendit si në Itali apo Greqi e Turqi.

Në këtë mënyrë, një arsye pse shkohet në Turqi, Greqi apo Itali është kostoja pothuajse e njëjtë me vendet e Europës por trajtimi ndryshon si dhe medikamentet që gjenden në Shqipëri.

“Nuk është vetëm kostoja, në spitalet apo klinikat jashtë vendit, ka një kulturë dhe normë të lartë etike që nuk e gjen as në spitalet tona private ndonëse paguajmë “një djall e gjysëm”, thotë Anila që prej vitesh e ka kthyer në rutinë check-upin në klinikat jashtë vendit.

Që nga konsultat e thjeshta dhe deri tek ndërhyrjet, duket se shqiptarët që kanë mundësi ekonomike po zgjedhin gjithnjë e më shumë të kurohen jashtë vendit.

“Paguajmë faturë për shërbimin që marrim. Kurse në Shqipëri s’mjafton kjo, pasi aty jo vetëm të rrjepin por nuk duan as të të mjekojnë mirë sepse duan të kenë gjithë jetës pacient”, shprehet dikush tjetër.

Ajo që tashmë po bëhet më e shpeshtë dhe po aplikohet rëndom është trajtimi i pacientëve me tumor në spitalet më të mira të Italisë, përkundrejt sigruimit të dokumentacionit të duhur dhe marrjes së numrit të sigurimit, me qëllim që shpenzimet mjekësore të mos i paguajë, pacienti por shteti.

Pacientë kronikë që kanë dikë në vende si Turqi, Greqi apo Itali, sidomos në Itali, po zgjedhin të mjekohen andej për tumorin pasi kanë më shumë shpresë në mjekimin që marrin në vendet e zhvilluara.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë