Kosova

Konstituohet Kuvendi i Kosovës, Albulena Haxhiu zgjidhet kryetare

Nga Gazeta ‘SI’ – Kuvendi i Kosovës ka nisur zyrtarisht punën e legjislaturës së dhjetë, pasi deputetët e dalë nga zgjedhjet e fundit zhvilluan seancën konstituive dhe kryen betimin.

Mbledhja e parë u hap me procedurën e verifikimit të mandateve, e cila u miratua nga 118 ligjvënës të pranishëm në sallë. Pas përfundimit të kësaj faze, deputetët vijuan me betimin solemn, duke formalizuar fillimin e mandatit të tyre katërvjeçar.

Albuena Haxhiu, nga Lëvizja Vetëvendosje, u zgjodh kryetare e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Për të votuan pro 66 deputetë; 44 votuan kundër dhe tetë abstenuan.

“Një Kuvend funksional është parakusht për një shtet të fortë dhe një demokraci të qëndrueshme. Sot në këtë sallë kemi një detyrë të përbashkët: t’u shërbejmë qytetarëve me ndershmëri. Kemi dallime, por përgjegjësitë i kemi të përbashkëta”, theksoi Haxhiu.

Parlamenti i ri do të përbëhet nga 120 deputetë në total. Nga këto, 100 ulëse u përkasin subjekteve politike shqiptare, ndërsa 20 mandate janë të garantuara për përfaqësuesit e komuniteteve joshumicë, sipas parashikimeve kushtetuese.

Rezultatet e zgjedhjeve e nxjerrin Lëvizjen Vetëvendosje si forcën më të madhe parlamentare, me 57 deputetë të siguruar në Kuvend.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë