Politike

Nga mandati i Xhaçkës tek dialogu me opozitën/ mesazhet e BE për PS: Vendimet e Kushtetueses të jenë të zbatueshme!

Nga Gazeta ‘Si’ – Këshilli i Bashkimit Evropian ka miratuar konkluzionet e zgjerimit për Shqipërinë.

Në mes të konkluzioneve, ai që bie në sy është  “propozimi për të zbatuar pa mëdyshje vendimet e Gjykatës Kushtetuese.”

Mesazhi i BE për mazhorancën është shumë i qartë në dritën e zhvillimeve të reja që kanë përfshirë politikën në Shqipëri lidhur me pyetjen që iu drejtua Komisionit të Venecias, nëse deputetët janë apo jo të detyruar të votojnë sipas kërkesave të Kushtetueses, rast që mori shkas nga “Çështja Xhaçka”.

(Ndaj Xhaçkës është inicuar një mocion për shkelje të Kushtetutës nga opozita pasi bashkëshorti i saj biznesmen u shpall investitor strategjik nga qeveria dhe iu dha po me vendim qeverie bregu i detit para hotelit në Dhërmi në përdorim. PS refuzon të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Xhaçkën.)

Gjithashtu, një ‘mesazh’ tjetër ishte rritja e bashkëpunimit me opozitën për reformat e kërkuara nga BE-ja.

Këshilli vuri në dukje se polarizimi politik po vazhdon të ndikojë në aktivitetet e parlamentit.

Dokumenti thekson se “dialogu politik gjithëpërfshirës dhe konstruktiv në vend mbetet vendimtar për përparimin në reformat në lidhje me BE-në”.

Teksa vlerëson pozitivisht zbatimin e reformës në drejtësi, Këshilli thekson se kjo reformë duhet të konsolidohet duke ofruar përmirësime të mëtejshme, paanshmëri dhe profesionalizëm.

“Këshilli vlerëson pozitivisht rezultatet e mira të arritura nga Specialistët e Strukturës Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe gjykatat e saj duke përfshirë në nivel të lartë rastet e korrupsionit dhe bashkëpunimi i mirë me zbatimin e ligjit të BE-së. Kjo duhet të vazhdojë, duke përfshirë bashkëpunimin për hetimet financiare”, thotë Këshilli.

Këshilli gjithashtu thekson se mirëpret avancimin e procesit të vettingut dhe inkurajon Shqipërinë që të përfundojë të gjithë procesin në kohën e duhur. Po ashtu, Këshilli rithekson se vendimet detyruese të Gjykatës Kushtetuese duhet të respektohen plotësisht dhe zbatuar.

“Këshilli vlerëson objektivin e qeverisë për të vazhduar përparimet e Shqipërisë në rrugën e saj drejt BE-së, inkurajon të gjitha forcat politike të ndjekin planin e tyre ambicioz për mbylljen e anëtarësimit dhe pret që të jetë në gjendje të hapë grupe të mëtejshme negociuese sa më shpejt të jetë e mundur”, thuhet në dokument.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë