Nga Gazeta ‘Si’- Këshilli i Bashkimit Europian ka miratuar konkluzionet sa i përket procesit të zgjerimit, ku ka vlerësuar ambicien e Shqipërisë për mbylljen e negociatave.
Raporti evidenton progresin e Shqipërisë për anëtarësimin drejt BE-së, çeljen e grupkapitujve si dhe mirëpret planin ambicioz të qeverisë për mbylljen me sukses të tyre brenda një afati të caktuar.
Në raport gjithashtu trajtohen dhe zgjedhjet e 11 majit të cilat cilësohen si konkurruese, por me mangësi, të cilat duhet të adresohen.
Këshilli bëri thirrje për një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias.
Në fushën e sundimit të ligjit, Këshilli nënvizon nevojën për ruajtjen e pavarësisë dhe integritetit të strukturave gjyqësore.
Raporti vlerëson progresin që Shqipëria ka bërë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Këshilli gjithashtu vlerëson punën e SPAK dhe rezultatet e arritura nga ai dhe gjykatat e tij, duke përfshirë edhe rastet e korrupsionit të nivelit të lartë.
Në fushën e lirisë së medias, BE thekson se liria e shprehjes duhet të forcohet.
“Shqipëria duhet të shtojë më tej përpjekjet e saj për të forcuar pluralizmin dhe pavarësinë e medias, duke përfshirë sigurimin e dekriminalizimit të plotë të shpifjes, rritjen e transparencës së pronësisë dhe financimit të medias dhe sigurimin e një mjedisi të sigurt për gazetarët”, thekson BE.
Sa i përket kritereve ekonomike, Këshilli inkurajon Shqipërinë të intensifikojë përpjekjet për të avancuar kapacitetin e saj për t’u përballur me presionin konkurrues dhe forcat e tregut brenda BE-së dhe për të zbatuar reformat e nevojshme strukturore në një mënyrë të qëndrueshme.
BE mirëpret zbatimin e vazhdueshëm të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor në Shqipëri, i cili sipas BE është në rrugën e duhur për t’u sjellë përfitime konkrete qytetarëve.
BE gjithashtu vëren se marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimi rajonal mbeten elementë thelbësorë të procesit të zgjerimit, si dhe të Procesit të Stabilizim-Asociimit.
Në fushën e politikës së jashtme, Këshilli e përgëzon Shqipërinë për bashkëpunimin e saj të vazhdueshëm në çështjet e politikës së jashtme, dhe përafrimin e saj të plotë dhe të palëkundur me Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë së BE-së, duke përfshirë masat kufizuese të BE-së – një sinjal i fortë i angazhimit strategjik të Shqipërisë në rrugën e saj drejt BE-së.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




