Nga Gazeta ‘Si’- Kryetari i Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca deklaroi se ekziston rreziku që Serbia të përsërisë një sulm, me përmësa më të mëdha se ai i 24 shtatorit në Banjskë.
Ai i bëri komentet në një konferencë të përbashkët për media me presidentin e Këshillit Kombëtar të Zvricës, Eric Nussbaumer.
“Një temë e pashmangshme në këto rrethana ishte edhe siguria në Kosovë dhe rreziqet që po përballemi për shkak të pretendimeve territoriale që ka Serbia ndaj Kosovës. Ia shpreha shqetësimet. Po qe se Serbia lihet e pandëshkuar lidhur me agresionin e 24 shtatorit në Banjskë, Serbia ka për ta përsëritur këtë skenarë por me përmasa më të mëdha.
Si një nga shtetet që nuk ka mbështetur sanksionimin e Rusisë përballë luftës së Ukrainës, dhe vazhdon të kultivojë bashkëpunim ushtarak me Rusinë, Serbia duhet të shihet jo vetëm rrezik për Kosovën por për të gjithë stabilitetin dhe paqen në Ballkanin Perëndimor”, deklaroi Konjufca ndërsa tregoi se çfarë kishin biseduar.
Ai mandej shtoi se shteti serb vazhdon t’i shkelë parimet e marrëveshjes dhe duke mos e pranuar Kosovën si shtet. Konjufca ka përmendur edhe pengesat për anëtarësim në BE.
Me këtë rast, Konjufca ka thënë se duke pasur parasysh që Serbia po i shkel këto parime, i jep të drejtë Kosovës që të mos e bëjë hapun tjetër, e që është themelimi i Asociacionit.
“Kjo çështja e pozicionit të Kosovës po ndërlikohet pa nevojë. E para marrëveshja përbëhet prej parimeve dhe çështjet konkrete. Parimet e përbejnë frymën e marrëveshjes. Parimet nuk kanë afat. Çështjet konkrete mund të kenë afate.
Problemi është se Serbia po i shkel parimet e marrëveshjes, atë barazinë sovrane mes shteteve duke mos e pranuar Kosovën fare si shtet dhe e dyta pengimin e Kosovës për anëtarësim në institucionet e BE. Nuk mund të kesh barazi sovrane mes shteteve kur Ana Bërnabiç dërgon letrën për me zhvlerësu marrëveshjen. Ne kemi subjektivitetin ndërkombëtar edhe pa Serbinë. Fakti që Serbia po i shkel këto parime kjo na jep të drejtë që të mos hedhim hapin tjetër. Keni dëgjuar për Asociacionin po është pika e shtatë. Asociacioni ka afat”, deklaroi ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.