Pas mbledhjes së Kryesisë, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka thënë se pa pjesëmarrjen e partive politike serbe në zgjedhjet e 23 prillit nuk mund të ketë formim të Asociacionit.
Sipas tij, Kosova nuk mund të kushtëzohet nga Serbia për mbajtjen e zgjedhjeve për katër komunat në veri të Kosovës.
“Unë mendoj se ka qenë shumë pozitiv qëndrimi i shteteve të QUINT-it dhe i bashkësisë ndërkombëtare, që pa pjesëmarrjen e Listës Serbe, pa pjesëmarrjen e partive politike serbe në zgjedhjet e paralajmëruara më 23 prill, nuk ka formim të Asociacionit.
Mendoj se Kosova nuk ka nevojë fare të lëvizë, para se të ketë zhvillime në këtë drejtim. Nuk mund që të kushtëzohemi prej Vuçiçit, prej Serbisë, që ata të vendosin se kur të ketë zgjedhje ose jo në Kosovë”.
Konjufca ka thënë se kanë marrë garanci nga ndërkombëtarët se zgjedhjet nuk do të shtyhen më shumë se një herë dhe se kjo çështje ka përfunduar.
Edhe Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se është i bindur që zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat në veri të Kosovës do të përfundojnë të suksesshme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




