Pas konfirmimit si kryetari i legjislaturës së tetë të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjfuca ka marrë po ashtu postin e presidentit në detyrë, duke zëvendësuar kështu Vjosa Osmanin. Ai pritet ta mbajë këtë post deri në fund të prillit, kur Kosova do të zgjedhë presidentin e ri.
Pas votimit në krye të Kuvendit me 69 vota pro, Osmani, i dorëzoi detyrën duke thënë se Konjufca është përfaqësues shembullor i qytetarëve të Kosovës, duke u shprehur e bindur se ai do të sigurohet që Kuvendi të jetë shtëpi e qytetarëve.
“Ia dorëzoj detyrën përfaqësuesit shembullor të qytetarëve të Kosovës dhe jam jashtëzakonisht e bindur që përgjatë këtij mandati Konjufca do të sigurohet që Kuvendi i Kosovës të jetë shtëpi e qytetarëve”, u shpreh Osmani.
Konjufca nga ana tjetër ka falënderuar Osmanin për kontributin dhe ka thënë se është i bindur se shumë shpejt ajo do të jetë presidente e Kosovës.
“Për nga mosha parlamentare e angazhimi jemi pak a shumë të njëjtë. Ajo e ka kryer me përgjegjësi të lartë detyrën e ushtrueses së detyrës së presidentes së Kosovës. Keni dhënë shembull të shkëlqyer në politikë e kudo. Kështu që më vjen mirë që përmes zgjedhjes së kryetarit e Kryesisë së Kuvendit u hap rruga për institucionet e Kosovës të shkojnë hapave të tjerë”, tha Konjufca gjatë ceremonisë së dorëzimit të detyrës.
Votimi i tij në krye të Kuvendit i hap rrugë edhe votimit të qeverisë së re të udhëhequr nga Albin Kurti. Sipas Kushtetutës, presidenti i Kosovës i propozon kuvendit kandidatin për kryeministër, i cili jo më vonë se 15 ditë pas emërimit, paraqet përbërjen e qeverisë para kuvendit për votim.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




