Partia Socialiste mblodhi kryesinë e saj për të diskutuar në lidhje me zgjedhjet lokale të 30 qershorit, si dhe për Kongresin që do të mbahet të shtunën më 23 mars, në orën 10:00 në Pallatin e Kongreseve. Edhe pse në këtë kongres është parashikuar shpallja e të gjithë kandidatëve për kryetar bashkie, mësohet se një gjë e tillë nuk do të realizohet për shkak të situatës politike ku ndodhet vendi.
Kryesia ka vendosur që të shpallë disa kandidatë për kryetarë bashkie të cilët janë vlerësuar si model suksesi të PS-së. Erion Veliaj është emri që pritet të shpallet për Bashkinë e Tiranës.
Një fakt të tillë e ka lajmëruar vetë kryebashkiaku Veliaj, i cili ka ftuar nëpërmjet rrjeteve sociale mbështetësit të jenë në takimin që organizohet në sheshin “Nënë Tereza” më 23 mars për eventin “Bashkia që duam”.
“Por festimet s’kanë mbaruar! Të shtunën, më 23 Mars sërish bashkë për të festuar #BashkiaQëDuam! ? Tirana jo vetëm s’i përkulet dhunës, por mezi pret të nisë 4 vjet të tjera plot punë, dashuri e mirësi për kryeqytetin #Bashkë ❤️#TiranaQëDuam”, shkruan Veliaj.
Ndërsa mësohet se në Kongres pritet të shpallet edhe lista e kandidatëve për këshillin bashkiak të Tiranës.
Kriza politike, kur opozita akoma nuk ka e thënë fjalën e fundit për të marrë pjesë në zgjedhje ose jo, po detyron PS-në që të ndryshojë strategjinë, duke mos i shpallur të gjithë kandidatët për kryetar bashkie, veçanërisht në ato njësive të qeverisjes vendore ku pritet të dalin për herë të parë në konkurrim.
Ndërkaq Kongresi do të hapet nga kryesocialisti Edi Rama, më pas janë parashikuar që të flasin disa ministra, si dhe kryetarët e bashkisë së Tiranës dhe Fierit.
Kongresi do të jetë i ndarë në tre sesione, që kanë bëjnë me diskutimet mbi qeverisjen, zgjedhjet lokale dhe shpalljen e alternativës së PS-së, ku e majta synon të fitojë ato bashki që kanë qenë tabu, si Shkodra apo dhe Kukësi. Tre shtyllat ku do të mbështeten diskutimet në kongres janë; shembujt e qeverisjes lokale, bashkëqeverisja dhe Pakti për Universitetin.
Kryesia mësohet se u ka kërkuar drejtuesve politikë të qarqeve që të nisin diskutime nëpër bashki për kandidatët për këshillin bashkiak. Rama mësohet se ka kërkuar që të përfshihen njerëz me kontribute. Një ndër kërkesat e tjera është edhe pjesëmarrja masive në Kongres.
Në Kongres mësohet se janë ftuar edhe ish-drejtuesit e PS-së, si lideri historik i saj, Fatos Nano. Por deri më tani nuk është parashikuar që mbajë ndonjë fjalim në aktivitetin më të lartë politike, që kësaj here mblidhet për shkak të zgjedhjeve lokale të 30 qershorit. Gjithashtu jane ftuar edhe ish-kryeministrat që kanë qenë në vite.
Balla: Nuk besoj se PD nuk do të marrë pjesë në zgjedhje
Kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla foli për medien mbi vendimet e Kryesisë së PS-së, duke deklaruar se shumë shpejt socialistët do të shpallin 61 kandidatët për bashkinë.
“Afatet ligjore ju i dini. Ne jemi një aleancë bashkëqeverisje me njerëzit, përgjatë gjysmës së dytë të vitit 2018 ne kemi zhvilluar proces konsultimi me komunitet në të gjithë territorin. Kemi hartuar lista kandidaturash alternative për 61 bashki. Ndërkohë që flasim ende në disa bashki vijon procesi i vlerësimi me anë të një procesi të sondazhi të kandidaturave në komunitet për të arritur në ato emra që janë më përfaqësuese dhe që garantojnë një mirëqeverisje vendore. Një pjesë e madhe e territorit është i përfunduar ose drejt përfundimit në shumë shpejt do të kemi 61 kandidatët tanë”, deklaroi Balla.
Numri dy i PS-së ka theksuar gjithashtu se nuk beson se Partia Demokratike apo partitë e tjera të opozitës nuk do të marrin pjesë në zgjedhjet lokale të 30 qershorit.
“Brenda ditës së sotme do të dorëzojmë në KQZ emrat e anëtarëve të propozuar nga PS për KZAZ. Çdo parti politike ka detyrimin për t’iu përgjigjur afatit të depozitimit. Uroj që pyetja juaj që ka edhe brenda qëndrim të rrezikshëm për të ardhmen e PD. Nuk e besoj kurrë që PD nuk do të marrë pjesë në zgjedhje, por besoj se ajo do t’i bindet votuesve të vet për të marrë pjesë në garën për menaxherët vendorë. Kodi e ka parashikuar edhe rastin e vakancës zgjedhore”, tha Balla.

Ai foli dhe për rikandidimin e kryetarëve të bashkive që kanë 4 mandate në detyrë. Sipas tij vendimi për këtë çështje i takon KQZ-së. “Vlerësimi im për Kodin dihet, i mbahem asaj që përcakton ligji, do të jetë KQZ ai që do t’i japë fund kësaj”, ka thënë socialisti.
Reforma zgjedhore, Gjiknuri sekretar i ri PS-së
Balla gjatë një prononcimi për mediet tha se ish-ministri Damin Gjiknuri do të angazhohet për të përmbushur detyrimet ligjore që maxhoranca ka për Kodin Zgjedhor. Kryesia e PS-së ka emëruar atë si sekretar për Çështjet Zgjedhore, duke ia hequr kompetencat që kishte Bledi Çuçi.
“Kryesia e PS miratoi propozimin e kryetarit Rama për t’i besuar Damian Gjiknurit detyrën e Sekretarit për Çështjet Zgjedhore në PS”, tha Balla. Kreu i grupit parlamentar të PS-së shtoi se Gjiknuri ka nisur menjëherë punën për të miratuar Kodin e ri Zgjedhor, duke finalizuar draftin. Ai i bëri thirrje opozitës që të bëhen pjesë e këtij procesi, por shpresoj se do të angazhohen edhe deputetët e rinj, pasi drafti paraprak është konsultuar edhe me ekspertët më të mirë të dy fondacioneve gjermane dhe synon të plotësojë rekomandimet e OSBE dhe të ODIHR-it.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




