Politike

Kongresi i PS, si ‘antimiting’ ndaj opozitës

U parashikua si një Kongres Elektoral, por socialistët duket se do ta kthejnë atë në një antimiting ndaj opozitës, e cila po proteston prej kohësh duke kërkuar zgjedhje të parakohshme parlamentare. Socialistët kanë shtyrë shpalljen zyrtare të kandidaturave për kryetar bashkie, duke e lënë atë në një kohë dytë. Në këtë Kongres pritet të ketë vetëm diskutime të disa prej kryetarëve aktualë bashkiakë, të cilët pritet të rikandidojnë.
Sipas burimeve, mësohet se kryetari i PS-së u ka dhënë porosi sekretarit dhe strukturave që të jenë sa më shumë persona të pranishëm edhe nga anëtarësia socialiste, përveç delegatëve të pranishëm që mendohet të përfaqësohen nga 700 deri në 1 mijë të tillë për çdo bashki. Ndërsa mendohet se kryesocialisti do ta përshkojë në këmbë rrugën nga Kryeministria drejt Pallatit të Kongreseve, jashtë të cilit do ta presin delegatët e PS-së.
Një lëvizje që shihet si një antimiting i PS-së dhe që do të demonstrohet të shtunën, dy ditë pas protestës së radhës të opozitës përpara Parlamentit.
Socialistët kanë menduar gjithashtu që Kongresin e tyre të mos ta zhvillojnë me dyer të mbyllura, por ta zhvendosin atë në Sheshin “Nënë Tereza”. “Tirana që duam” është aktiviteti që ka shpallur kryebashkiaku Erion Veliaj që nis në ora 11:00 më 23 mars, paralelisht me Kongresin. Që nga ky shesh Veliaj do të shpallet zyrtarisht kandidat për kryetar bashkie i PS-së, duke shpallur gjithashtu edhe listën e kandidatëve për anëtarë të këshillit bashkiak.
“Unë do jem aty me familjen time! Mezi pres të të takoj dhe ty aty me familjen tënde! Për familjet tona dhe Tiranën që duam! Të Shtunën, ora 11:00 te sheshi “Nënë Tereza””, shkruan Veliaj në postimin e tij në Facebook.
Ndërsa me dhjetëra deputetë dhe zyrtarë socialistë u kanë bërë thirrje të gjithë mbështetësve që të jenë të pranishëm në këtë aktivitet që zhvillohet nga Bashkia e Tiranës, si për të treguar mbështetjen që gëzon maxhoranca.

https://www.facebook.com/ErionVeliaj/photos/a.10150154466761926/10157204571806926/?type=3&theater


Të njëjtin skenar PS-ja u përpoq ta shfaqte dhe me vendimin për shtyrjen e festimeve të Ditës së Verës, ku Bashkia e Tiranës nga 14 marsi e shtyu një ditë pas protestës së opozitës më 17 mars.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë