Pjesa e parë e Kongresit të Partisë Socialiste ishte konceptuar si një bashkëbisedim, jo vetëm me anëtarësinë e partisë, por edhe me qytetarët dhe bizneset. Për këtë qëllim u ngritën pesë panele tematike, ku vëmendjen, nisur nga zhvillimet aktuale e morën panelet për sigurinë, rajonin dhe Europën dhe ai për energjinë.
Te energjia, ministrja e Energjitikës, Belinda Balluku foli për nevojën e diversifikimit dhe ftoi bizneset të investojnë të panelet diellore.
“Në të ardhmen Shqipëria do të bëhet një vend që do të mbulojë të gjitha nevojat e veta për energji dhe madje do të bëhet edhe eksportues i energjie. Mirëpo, kjo nuk mund të bëhet brenda disa muajve, apo një viti, pasi është një projekt që kërkon kohë dhe investim. Ne kemi shembuj se si bizneset po investojnë sot te panelet diellore për të reduktuar kostot e prodhimit” u shpreh Balluku.
Te rajoni, europa dhe siguria ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka dhe ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi folën për nevojën e përshtatjes së vendit nën dritën e zhvillimeve në Ukrainë.
Xhaçka mbrojti Ballkanin e Hapur dhe tha se nisma i shërben edhe Kosovës.
“Dimensioni strategjik i kësaj nisme e cila në fakt, ashtu si Procesi i Berlinit, ngrihet mbi filozofinë që zgjidhja e problemeve që ka ende sot rajoni, kalon nga bashkëpunimi e integrimi. Kjo padyshim nuk do të thotë që të harrohet e shkuara. Por si mund të replikohet kjo eksperiencë në rajonin tonë pa përfshirë në të shqiptarët e serbët, që janë dy popujt më të mëdhenj që përcaktojnë prej shekujsh historinë e rajonit? A nisi Bashkimi Europian me Gjermaninë e Francën, armiq shekullorë me luftëra me miliona viktima, apo me Irlandën dhe Greqinë?”, tha ajo.
Fqinjët nuk i zgjedhim, deklaroi ministrja, duke shtuar se “ne nuk e kemi ne në dorë të vendosim kë kemi në kufi e me kë na ka lidhur për mirë a për keq historia”.
“Ajo që ne kemi në dorë është të ndërtojmë një vizion për të ardhmen që ngrihet përmbi konfliket e të shkuarës dhe që, duken qenë që ka në thelb bashkëpunimin e integrimit, krijimin e lidhjeve njerëzore, ekonomike, tregtare e politike, na ndihmon paskëtaj të trajtojmë në mënyrën më konstruktive e efikase çdo çështje ende të pazgjidhur në rajonin tonë”, tha Xhaçka.
Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi u shpreh se si rezultat i agresionit rus, mjedisi i sigurisë në Europë dhe në kufirin lindor të Aleancës është i kërcënuar dhe i paparashikueshëm, por ai garantoi se Shqipëria, si vend anëtar i NATO-s është e sigurtë.
“Çdo centimetër i Shqipërisë është i sigurt dhe i mbrojtur nga parimi i mbrojtjes kolektive se NATO-s. Zhvillimet e fundit e kanë forcuar unitetin e Aleancës në mbrojtje të hapësirës së përbashkët dhe sovranitetit të vendeve anëtare. Forcat e Armatosura duhet të përmbushin detyrat që burojnë nga NATO. FA duhet të jenë të afta të përmbushin detyrimet që burojnë nga misioni kushtetues për ruajtjen e integritetit territorial të vendit”, shtoi ai.
Te shëndetësia, ministrja Manastriliu foli për reformën e autonomisë së spitaleve, sipas modelit të turqisë. Ajo tha se kjo reformë do të sjellë vlerësimin e mjekëve sipas performancës dhe luftojë korrupsionin në këtë sektor.
Te bujqësia, Taulant Balla ftoi që të shprehen kritikat, por pa harruar se në çfarë gjendje ishte ky sektor në 2013-n,
Te rinia u diskutua digjitalizimi dhe inovacioni si mundësi punësimi me rroga të kënaqshme për të rinjtë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.