Ka ndodhur

Konflikti me armë në Kallmet, lihet në burg ish-kreu i Njësisë, Besnik Simoni

Nga Gazeta Si -Ish-kreu i Njësisë Administrative të Kallmetit, Besnik Simoni, i cili u arrestua me datë 2 Prill pas një konflikti me armë me një bashkëfshatar të tij, do të vijojë të qëndrojë në burg.

Gjykata e Lezhës ka rrëzuar kërkesën e 41-vjeçarit, i  cili, përmes avokatit mbrojtës kishte kërkuar një masë sigurimi më të butë. Kërkesa për zëvendësimin e masës së sigurisë u shqyrtua nga gjyqtari Artan Hajredinaj, i cili pasi dëgjoi palët në proces, vendosi që ish-zyrtari lokal të qëndrojë në burg deri në përfundim të hetimeve.

Besnik Simoni dhe Altin Marku u konfliktuan me armë në fshatin Kallmet pas një konflikti verbal, ku zënka degjeneroi deri në përdorimin e armëve, duke mbetur të dy të plagosur.

Me masën e sigurisë arrest në burg vijon të jetë dhe Altin Marku.

Ndaj tyre rëndojnë akuzat “Vrasje me dashje e mbetur në tentativë” dhe “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”.

Mes administratorit të Njësisë Administrative Kallmet, Besnik Simonit dhe Altin Markut, ka pasur shkëmbim zjarri. Pas përplasjes me armë zjarri, të dy u dërguan me urgjencë në Spitalin e Traumës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë