Beogradi zyrtar e ka pritur me zemërin vendimin e autoriteteve të Kosovës për të zbatuar masa reciprociteti për target nga Serbia.
Presidenti Aleksandër Vuçiç ka mbështetur protestat e banorëve serbë në veri të Kosovës, duke thënë se qeveria e Albin Kurtit ka shkelur dispozita të Marrëveshjes së Brukselit, të cilën dy vendet e kanë arritur me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian.
Por çfarë thotë Marrëveshja e Brukselit për targat e Kosovës?
Marrëveshja për lirinë e lëvizjes midis Kosovës dhe Serbisë është arritur në vitin 2011 në Bruksel.
Me këtë dokument, targat serbe me shenjat e qyteteve të Kosovës, si PR (Prishtinë), GL (Gjilan) KM (Mitrovicë), janë hequr. Domethënë, automjetet me targa të tilla duhet të regjistrohen sërish me RKS (Republika e Kosovës) ose me status neutral – KS (Kosovë).
“Të gjithë pronarët e makinave me vendbanim në Kosovë do të përdorin targa RKS ose KS. Ato do të lëshohen nga autoritetet përgjegjëse në Kosovë”, thuhet në pikën 7 të Marrëveshjes për lirinë e lëvizjes.
Por, pavarësisht saj, në katër komuna në veri të Kosovës, ku shumica e popullsisë është serbe, qytetarët kanë lëvizur me makina me targa të qyteteve në Kosovë, të lëshuara nga Ministria e Brendshme e Serbisë.
Në anën tjetër, qytetarët e Kosovës nuk kanë mundur të hyjnë në territorin e Serbisë me targa RKS, pa shpenzime shtesë. Atyre i është dashur t’i zëvendësojnë ato me targa të përkohshme. Kështu që, me marrëveshje, Kosova është detyruar që edhe për pesë vjet të tjerë të lëshojë targa KS, të cilat Serbia i ka pranuar.
Marrëveshja teknike për lirinë e lëvizjes, e vitit 2011, është finalizuar në Bruksel më 14 shtator, të vitit 2016, kur Kosova ka rënë dakord që të zgjasë vlefshmërinë e targave KS edhe për pesë vjet.

Por kur ka skaduar afati për targat e diskutueshme? Periudha pesëvjeçare ka përfunduar më 15 shtator, 2021.
“Ky ka qenë afati i fundit për heqjen dhe përdorimin e këtyre targave, si dhe të targave me shkurtesat KM për Mitrovicën, PR për Prishtinën, UR për Ferizajn, PZ për Prizrenin dhe GL për Gjilanin”, ka thënë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më 20 shtator. Ai ka thënë se këto targa do të konfiskohen.
Me vendimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës, qytetarët që kanë targa serbe, për shembull BG (Beograd), KG (Kragujevc) NI (Nish), tani duhet të marrin targa të përkohshme kur hyjnë në territorin e Kosovës.
Duke akuzuar Prishtinën për shkelje të dispozitave të Marrëveshjes së Brukselit, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka thënë se problemi nuk është vetëm me targat KS, por “edhe me targat nga Serbia qendrore”. Marrëveshja e Brukselit nuk i përmend shprehimisht kushtet për hyrjen në Kosovë të automjeteve me targa të qyteteve në Serbi.
Teksti i Marrëveshjes së vitit 2011, thotë se “pala kosovare ruan të drejtën që, pas konsultimeve me Bashkimin Evropian, të aplikojë regjimin e targave të përkohshme”.
Deri më tani, qytetarët e Kosovës me targa RKS (Republika e Kosovës), kur kanë hyrë në Serbi, kanë paguar rreth pesë euro për targa të përkohshme, që janë të vlefshme për 60 ditë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë më 20 shtator se Prishtina zyrtare nuk ka dashur të vendosë masa reciprociteti, por nuk ka pasur zgjidhje tjetër, për shkak të qëndrimeve të Beogradit zyrtar.
Pas një takimi të Këshillit të Serbisë për Sigurinë Kombëtare, Vuçiç ka thënë se Prishtina refuzon zbatimin e dispozitave të Marrëveshjes së Brukselit, kryesisht atyre që i referohen Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, Kosova dhe Serbia kanë arritur një marrëveshje në vitin 2013 për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Detajet specifike janë harmonizuar me një marrëveshje të vitit 2015.
Por, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar në dhjetor të vitit 2015 se parimet e Asociacionit bien ndesh me Kushtetutën e Kosovës.
Deri më tani në Bruksel janë arritur mbi 30 marrëveshje – shumica e të cilave nuk janë zbatuar në terren.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




