Politike

Konflikti Kosovë-Serbi, Berisha dhe Rama ’bien’ në një mendje, për herë të parë: Të kthehet plani franko-gjerman

Sali Berisha doli në një deklaratë për mediat për të reaguar ndaj lirimit të tre policëve kosovare nga Serbia. Berisha tha se kontribut për lirimin kishte SHBA, BE, NATO dhe kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban.  

Por ajo që ra në sy ndryshe nga herët e tjera në deklaratën e tij është se për herë të parë Berisha dhe Rama janë në një pikë dakord që zgjidhje për konfliktin Kosovë-Serbi është zbatimi i planit franko-gjerman

“… Lirimi i tre policëve ishte një vendim në drejtimin e duhur, por zbardhja e të vërtetës, mbi këtë akt dhe ndëshkimi i organizatorëve dhe ekzekutorëve të këtij akti, të pashembullt them dhe njëherë, nga vitet ’50 gjer sot, është i domosdoshëm në mënyrë që histori të tilla, të mos mund të përsëriten më.

Nga ana tjetër, unë u bëj thirrje autoriteteve të Kosovës, duke mbështetur plotësisht të drejtën e tyre për vendosjen e ligjit, të rendit dhe të sigurisë në të gjithë territorin e tyre, të bëjnë çdo përpjekje për ç’përshkallëzimin dhe shtensionimin e situatës, rikthimin tek dialogu dhe marrëveshja e Ohrit.

Çdo shqiptar duhet ta ketë të qartë, se marrëveshja, natyrisht e mirë është interesi më i madh i Kosovës, dhe kombit shqiptar.

Marrëveshja nuk i intereson Aleksandër Vuçiç, nuk intereson Serbisë. Ndaj dhe në këtë kuadër, përpjekjet e mëdha, të muajve të fundit, japin shpresë se mbi bazën e dokumentit të Ohrit, apo planit franko-gjerman, të arrihet me vullnet një marrëveshje e cila ka si objektiv normalizmin e marrëdhënieve dhe më vonë, njohjen reciproke…”, tha ndër të tjera Berisha.

Ai akuzoi sërish Ramën se ka ndërhyrë në punët e brendshme të Kosovës në favor të Serbisë.

“Unë jam sot këtu gjithashtu për të dënuar me forcën më të madhe ndërhyrjet brutale në punët e Brendshme të Kosovës të Edi Ramës. Sulmet e tij të përditshme ndaj qeverisë së Kosovës. Përpjekjet e tij donkishoteske për të marrë një rol të caktuar në këtë problem të madh, të thellë, të rëndësishëm për Europën dhe NATO-n.

Rikujtoj këtu shqiptarëve dhe komunitetit ndërkombëtar se Edi Rama ka një përgjegjësi direkte të madhe, në bllokimin e zhvillimeve pozitive dhe zgjidhjes së problemeve mes Kosovës dhe Serbisë. Me ardhjen e tij në pushtet Edi Rama u bë krah haptas i Vuçiçit dhe projekteve të tij të Serbisë së Madhe. Ai u bë një nga promotorët e ndarjes dhe ndryshimit të territoreve mes Serbisë dhe Kosovës. Përpjekje kjo që pati pasoja shumë të rënda, përveç bllokimit të negociatave, u pasqyrua dhe në qëndrime të tjera ndaj udhëheqjes politike të Kosovës.

Edi Rama si mbështetës i të gjitha projekteve të Serbisë së madhe, me qëllim ndarjen e Kosovës sipas orekseve të Vuçiçit, i kundërvuri për vite me radhë aleancën trelaterale Beograd-Shkup-Tiranë, nismës evropiane të Berlinit”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë