Nga Armando Meta – Juxhin Kasmi, një prej pinjollëve të familjeve tiranase, asnjëherë nuk do ta kishte menduar se aventura për një shtëpi në zemër të Tiranës, do të kthehej në një prej dramave më të mëdha familjare të familjes së tij, ku vëllezër dhe motra, nipër e mbesa tashmë thuajse nuk hynë e dalin në shtëpitë e njëri-tjetrit, si dhe nuk shkojnë më te njëri-tjetri as për gëzime dhe hidhërime familjare. Historia e shtëpisë së tyre, e trashëguar nga gjyshi dhe gjyshja, nis që në fillim të viteve ’90, kur filluan të kthehen edhe pronat e sekuestruara nga regjimi komunist. Por, ajo që fillimisht u vlerësua si gjëja më e thjeshtë, tashmë është kthyer në një kalvar që po gërryen të gjithë fisin.
“Gjyqi për pronën ka filluar në vitin 1992, por edhe pas 27 vitesh ne vijojmë të jemi ende në gjyq, jo me shtetin, por me njëri-tjetrin. Unë kam lindur në vitin 1991 dhe në gjithë fëmijërinë time, dhe tani që jam në moshë madhore, e vetmja temë debati në familje dhe më gjerë është problemi i asaj shtëpie, e cila po rrënohet nga dita në ditë, po mbulohet nga barishtet dhe pemët dhe që askush nuk po e gëzon. Është një dramë e vërtetë, e cila nuk ka dhe nuk ka për të pasur fund me sa duket”, komenton Juxhini, i cili më shumë shtyn ditën në gjykatë me njerëzit e fisit sesa merret me punë të tjera me shpresën se ka gjetur ‘Eldoradon’ e tij nëse fiton gjyqin.
Problematika e Tiranës
Historia e familjes Kasmi është një nga ato mijëra histori, ku konfliktet e pronësisë mes familjarëve po rrënojnë ditë për ditë Tiranën historike, duke zhbërë edhe kujtesën e kryeqytetit. Që nga ‘Rruga e Kavajës’, ajo e ‘Durrësit’, duke dalë te ‘Rruga Bardhyl’ janë qindra shtëpi që mbartin historinë e Tiranës, por që gjithë hijeshia e tyre tashmë është mbuluar nga pemët, ferrat, barishtet. Kudo vihen re gjurmët e rrënimit, duke filluar nga muret, çatitë e rëna, dritare të shkatërruara. Ato tashmë më shumë duken si dekore për skena filmash horror sesa ndërtesa që dikur kanë bërë historinë e kryeqytetit, jo vetëm nga stili i arkitekturës, por edhe nga paraqitja e gjendjes sociale.
Kalvari në gjykata
Prindër që nuk arritën të lënë testamente për pasurinë, duke lënë jashtë litarin e sherrit mes vëllezërve e motrave e nipërve e mbesave, testamente të denoncuara në gjykatë si të falsifikuara, akte pronësie të dyshimta, marifete me regjistrat e gjendjeve civile, hartën e pronësisë etj., janë disa nga dhjetëra pretendimet që janë depozituar në gjykatë, ku seancat gjyqësore pa fund zgjasin për dekada me radhë, duke çuar në këtë mënyrë në pamundësi mirëmbajtjen e banesave historike të Tiranës, duke i çuar ato drejt fundit tragjik të rrënimit. Vetëm për çështje pronësie të banesave historike në Tiranë, sipas gjykatës, janë përfshirë afërsisht 18.243 persona me pretendime nga më të ndryshmet. Objekt gjykimi janë rreth 684 banesa historike të llojeve të ndryshme.
Juristët komentojnë se çështjet që lidhen me pretendimet e pronësisë mes familjarëve janë më të koklaviturat në gjykatë, pasi jo vetëm zgjasin shumë, por situata është më komplekse sesa me problemet e pronësisë jashtë trungut familjar.
“Janë mijëra dosje në gjykata me probleme të trashëgimisë së pasurisë mes familjarëve. Asnjë palë nuk bie dakord, pasi në shumë raste kemi 4 deri 5 vëllezër e motra e të gjithë natyrshëm kanë pretendime. Mjafton njëri të mos bie dakord e çështja ngec në vend. Kontestimet e akteve të trashëgimisë dhe testamenteve janë pikat më të gjykuara në procese, pasi në jo pak raste mjaft dokumente të tilla, që ndajnë pronësinë mes familjarëve, janë konstatuar si të falsifikuara. Nga ana tjetër, edhe shteti është i pafuqishëm për të vepruar, pasi kemi të bëjmë me probleme pronësie mes individëve dhe shteti nuk mund të ndërhyjë për t’i shtetëzuar në nevojë të historisë së Tiranës. Vetëm një kompromis mes familjarëve ndihmon në zgjidhje”, komenton juristi Sokol Hazizaj.
Nga ana tjetër, edhe vetë Bashkia e Tiranës shprehet se s’ka asnjë tagër ligjor në lidhje me objektet historike në rastet kur ato janë probleme pronësie mes familjarëve. Po kështu shprehet edhe Instituti i Monumenteve, zyrtarë të së cilit thonë se “ndërtesat historike në Tiranë thjesht janë inventarizuar, por se cila do jetë e ardhmja e tyre, ky është problem mes familjarëve”.
Si të mos mungonin plagët që ka marrë Tirana me ndërtimet e zonat historike ku në vend të shtëpive të vjetra janë ndërtuar qindra e mijëra pallate, tashmë edhe problemet e pazgjidhura me pronësinë e familjarëve po çojnë në rrënimin edhe të atyre pak ndërtesave që kanë mbetur në këmbë. E ardhmja duket e pashpresë. Juxhini duket do vijojë në dyert e gjykatave derisa t’i dalin thinjat për të marrë një pjesë nga ‘Eldorado’ që ai ëndërron. Por duket se ka pak mundësi për këtë. Prindërit me shumë mundime i ngritën ato shtëpi, fëmijët po ua rrënojnë lehtësisht nga lakmia, duke e kthyer Tiranën dita-ditës në një kryeqytet pa kujtesë historike.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


























