Sociale

Konflikt për varrezat mes dy fshatrave në kufi mes Fierit dhe Vlorës

Një konflikt i pazakontë, ka futur në një sherr banorët e dy fshatrave në kufirin mes Fierit dhe Vlorës. Konkretisht, banorët e fshatit Ferras, kanë denoncuar banorët e fshatit Fitore në zonën e Vlorës se po ju zaptojnë hapësirën e varrezave.

Ata thonë se rrethimi i varreve me kangjella, ka sjellë edhe bllokimin e rrugës, ndaj kërkojnë marrjen e masave dhe ndërhyrjen e bashkisë për zgjidhjen e situatës. Banorët e fshatit Ferras në Fier ankohen se varreza po shfrytëzohet edhe nga persona që nuk janë banorë të zonës.

Qytetarët kanë kërkuar marrjen e masave nga institucionet përkatëse për rregullimin e kësaj situate, të cilën e vlerësojnë si të padrejtë.

"Nuk i takojnë që të vijnë këtu, çdo njeri shkon në vendin e tij. Duhet të marrë masa pushteti vendor, - ankohen banorët e Ferrasit. - Para një viti këtu është investuar, janë dhënë kontribute nga njerëzit. Tani shiko çfarë bëjnë sot, rrethojnë varrezat. I bëjnë banorët e fshatit Fitore”.

Qytetarët arrijnë deri aty, sa të kërkojnë zhvarrosjen e atyre që nuk janë vendas dhe heqjen e kangjellave rrethuese. "Këto kangjella të hiqen dhe mos të vihen më, të bëhen shembull për të tjetër".Kryeplaku i fshatit Ferras, Zani Hyka, nga ana tjetër pretendon se në këto varreza nuk ka asnjë të huaj.

"Nuk më takon mua, sepse ata njerëz kanë qenë banorë të fshatit Ferras dhe nuk më lejohet mua të flas, t'i heq nga fshati Ferras".

Duket se për zgjidhjen përfundimtare të kësaj situate dhe verifikimin e pretendimeve të palëve, do të duhet ndërhyrja e Bashkisë së Fierit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë