Gazeta Si – Një grua mbeti e plagosur me armë zjarri pasditen e kësaj të enjteje në fshatin Garunjas të Lushnjës. Policia thotë se Bajame Senej, 60-vjeçe, u dërgua në spitalin e Lushnjës dhe është jashtë rrezikut për jetën.
Autoritetet policore kanë mundur të identifikojnë autorin e dyshuar të ngjarjes (me iniciale A.H.,) dhe po punojnë për kapjen e tij.
Sipas burimeve paraprake, dyshohet se shkak është bërë hakmarrja mes dy familjeve që kanë lidhje gjaku pas një konflikti të hershëm për pronën.
Ngjarja ka ndodhur në fshatin Ballagat rreth orëws 17:20, 60-vjeçarja është plagosur në këmbë pas një prite nga autorët.
“Në rrethana ende të paqarta është plagosur me armë zjarri shtetasja B. S., 60 vjeçe, banuese në Ballagat, Lushnjë, e cila ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve”, – njoftoi policia.
E plagosura është identifikuar si motra e Kastriot Hasallës, i cili vrau kushëririn e tij Romeo Hasalla në vitin 2021 pas një konflikti pronësie, ku mbetën të plagosur edhe tre të tjerë.
Kastriot Hasalla u akuzua për vrasjen e kushëririt të tij Romeo Hasalla, 30 vjeç, më 29 korrik 2021. Ai u vetëdorëzua në polici dy ditë pas ngjarjes, ku u plagosën edhe babai i Romeos, Shaipi dhe dy vëllezërit e tij, Laerti dhe Emiljano.
Në lidhje me këtë ngjarje u arrestuan fillimisht edhe vëllai e djali i Kastriotit, Afrim dhe Marjo Hasalla. Kur u vetëdorëzua, pranoi se ka qëlluar ndaj kushëririt të tij, Romeos.
Për ngjarjen e sotme, policia ka ngritur pika kontrolli në të gjitha hyrje-daljet e qytetit të Lushnjës dhe vijon krehja e zonës me qëllim kapjen e autorëve.
Ngjarja e rëndë vjen vetëm pak orë pas asaj në Kavajë, ku mbetën të vrarë 2 persona. Armand Gosa dhe Sali Rexha, të dy 43 vjeç, vranë njëri-tjetrin pas një konflikti pas së cilit dyshohet se qëndronin motivet banale.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




