Një person ka mbetur i vdekur dhe tre të tjerë janë plagosur pas një konflikti për motive pronësie në Lushnjë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur mes disa kushërinjve rreth orës 06:25 të mëngjesit të kësaj të enjteje në fshatin Garunjas të Lushnjës.
Viktima është 30-vjeçari Romeo Hasalla, ndërkohë që të plagosur kanë mbetur babai i viktimës, Shuaip Hasalla 65 vjeç dhe dy vëllezërit e tij, Emiljano Hasalla dhe Laert Hasalla, 31 vjeç.
Po ashtu, policia ka shpallur në kërkim dy autorët e dyshuar të ngjarjes, vëllezërit Kastriot Hasalla dhe Afrim Hasalla. Në kërkim është shpallur edhe djali i Kastriot Hasallës, Mario Hasalla, 20 vjeç, por nuk dihet roli që ka pasur i riu në ngjarje.
Kushërinjtë Hasalla kishin konflikt prej vitesh në lidhje me një tokë në fshatin e tyre, ndërsa ngjarja u regjistrua pikërisht në këtë truall. Disa ditë më parë ata ishin konfliktuar verbalisht, ndërsa mëngjesin e sotëm situata ka precipituar në përdorimin e armës.
Shuaipi dhe tre djemtë e tij kanë shkuar mëngjesin e të enjtes të punojnë tokën dhe Kastriot dhe Afrim Hasalla kanë qëlluar mbi kushërinjtë e tyre me çifte, duke lënë të vdekur njërin prej tyre dhe plagosur tre të tjerët. Viktima, Romeo Hasalla, baba i dy fëmijëve të mitur, kishte dy ditë që ishte kthyer nga Greqia.
Forcat e policisë po krehin zonën për kapjen e autorëve, ndërsa ka pasur negociata me familjarët për dorëzimin e tyre.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




