Drejtësia

Konfiskimi i pasurive të krimit, Kraja: Shkak për përplasje mes grupeve kriminale

Gazeta Si – Sekuestrimi i pasurive të krimit të organizuar, është bërë shpeshherë shkak për përplasjen mes grupeve kriminale në Shqipëri.

Kreu i SPAK Arben Kraja, ka deklaruar se në vitin 2021, ka pasur 5 vendime për konfiskimin e pasurive me vlerë 3.4 milionë euro, ndërsa shumë raste të tjera janë në proces gjyqësor.

“Krimi i organizuar dhe korrupsioni përpiqen të krijojnë asete për të ricikluar aktivitetin e tyre. Shpeshherë asetet bëhen shkak për përplasje mes grupesh. SPAK dhe BKH e kanë prioritet hetimin e aseteve të grupeve kriminale. Deri tani janë dhënë 5 vendime konfiskimi, ndërsa 3.4 milionë llogari bankare janë vënë nën sekuestro. Ndërkohë që janë ende në proces penal 41 vendime të thera konfiskimi”, – tha Kraja, gjatë një konference për pasuritë kriminale, që mblodhi bashkë në Tiranë gjyqtarët, prokurorë dhe këshilltarë gjyqësorë nga Ballkani Perëndimor.

Kraja, në fjalën e  tij tha se krimi i organizuar dhe korrupsioni në mënyrë të vazhdueshme tenton të prodhojë produkte, asete apo pasuri, të cilat i përdor për të ricikluar aktivitetin kriminal, për të korruptuar sistemin për të mos u dënuar, për të deformuar sistemin, ekonominë e lirë dhe konkurrencën.

Sipas Krajës, “duhet një strategji e qartë dhe prioritet për të evidentuar në radhë të parë pasuritë kriminale dhe asetet, për të pasur një mekanizëm për t’i marrë ato, sekuestruar dhe konfiskuar dhe pastaj për t’i kthyer në favor të publikut, qoftë të dëmtuarve nga vepra kriminale apo në favor të institucioneve që luftojnë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”.

Nga ana tjetër, ai shtoi se po mundohen të përdoren me efektivitet fondet e konfiskuara, duke sjellë dhe një shembull.

“Nga këto fonde, ne në SPAK kemi ngritur një laborator dixhital shumë modern, të cilin e përdorim për rritjen e efektivitetit të ndjekjes penale”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë