Nga Gazeta ‘Si’- Qyteti i Gazës dhe zonat përreth tij po përballen me zinë e bukës. Kjo është deklaruar për herë të parë zyrtarisht nga Klasifikimi i Fazës së Integruar të Sigurisë Ushqimore, një sistem i mbështetur edhe nga Kombet e Bashkuara.
Sistemi i mbështetur nga OKB dhe i njohur globalisht për klasifikimin e pasigurisë ushqimore dhe kequshqyerjes ka deklaruar vetëm katër zi buke të tjera që nga themelimi i tij në vitin 2004.
Është hera e parë që një klasifikim i tillë bëhet jashtë kontinentit afrikan, pasi rastet e mëparshme ishin në Somali në vitin 2011 dhe Sudan në vitet 2017, 2020 dhe 2024. Ky njoftim është i pari i IPC-së jashtë Afrikës. Qyteti i Gazës është shtëpia e rreth gjysmë milioni njerëzve.
Niveli i urisë në Gaza është klasifikuar në Fazën 5, që është edhe niveli më i lartë, ku mbizotëron uria, varfëria dhe vdekja. I njëjti klasifikim parashikohet të zgjerohet në Deir al-Balah dhe Khan Younis deri në fund të shtatorit, pra për më shumë se gjysmë milionë njerëz në të gjithë Gazën.
Në raport thuhej se zia e bukës në Gaza është shkaktuar nga njeriu dhe mund të ishte parandaluar. Koordinatori i emergjencave në OKB, Tom Fletcher tha se raporti i ri duhet lexuar me hidhërim dhe me zemërim.
Ai shtoi se zia e bukës i detyron njerëzit të rrezikojnë jetën e tyre për të kërkuar ushqim.
“Është një zi buke që do të na ndjekë dhe duhet të na ndjekë të gjithëve. Është një zi buke e parashikueshme dhe e parandalueshme”, tha ai.
Por Ministria e Jashtme e Izraelit ka hedhur poshtë kategorikisht raportin, duke thënë se nuk ka zi buke në Gaza dhe se te dhenat bazohen në “gënjeshtrat e Hamasit”.
Zhvillimi më i fundit vjen teksa kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu i ka hapur rrugë pushtimit të plotë të qytetit të Gazës, një plan që ka marrë shumë kritika si nga qytetarët e Izraelit, ashtu edhe nga aleatët e tij.
Netanyahu tha gjithashtu planifikon rifillimin e negociatave për rikthimin e pengjeve që mbahen ende nga Hamasi dhe për fundin e luftës, por sipas kushteve të Izraelit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



