Pas disa javësh dyshime, në Shqipëri janë konfirmuar dy rastet e para të variantit shumë të transmetueshëm të Covid 19, “Omicron”.
Lajmin e bëri me dije Drejtoresha e ISHP, Eugena Tomini gjatë mbledhjes së Komitetit Teknik të Ekspertëve. Megjithatë, ajo shtoi se në vendin tonë mbizotëron varianti “Delta”.
Duke vlerësuar situatën, Komiteti i Ekspertëve, vendosi se ora policore dhe masat anti-Covid do të vijojnë të mbeten të njëjta.
Por kryetarja e Komitetit të Ekspertëve, Mira Rakacolli theksoi se ndryshim do të përbëjë vetëm nata e ndërrimit të viteve, ku nuk do të ketë orë policore.
“Situata në botë dhe prania e variantit të ri, bën të domosdoshëm respektimin e këtyre masave që të gjithë jemi të ndërgjegjshëm që nuk po respektohen”, tha Rakacolli.
Shefja e Epidemiologjisë dhe Sëmundjeve Infektive në ISHP, Silva Bino, u shpreh se kohët e fundit është vënë re rritja e aplikimeve nga qytetarët për marrjen e dozave të vaksinës Covid.
Sipas të dhënave të deritanishme, ajo tha se bashkitë me numrin më të madh të të vaksinuarve, janë Tirana me 57 % dhe Himara me Sarandën me deri në 80%.
Bino bëri thirrje për të gjithë qytetarët në disa nga bashki të e vendit, ku ka një nivel më të ulët vaksinimi që të aplikojnë dhe të marrin dozat që duhen.
Ndërsa shefja e Spitalit Infektiv në Tiranë, Najada Çomo, bëri me dije se në spitalet Covid 1 dhe 3, ndodhen rreth 140 pacientë të shtruar. Sipas saj, në spital mbizotërojnë format mbi të mesme dhe mosha e pacientëve që janë aktualisht në spital i takon që nga mosha 19 vjeç deri në 90 vjeç.
“Rreth 70% e rasteve të shtruara në spital, janë të formave të mesme të rënda, 20% janë kritike dhe një përqindje e vogël janë forma të brishta. Ajo që unë dua të theksoj është që numri i të shtruarve në spital për moshën e re është i lartë dhe 30% e të sëmurëve në spital i takojnë grup moshës 19-45 vjeç”, - deklaroi Çomo.
Mjekja shtoi se pjesën madhore e zënë personat e pa vaksinuar me rreth 90%
Sa i takon rasteve të fëmijëve me Covid, mjekja Gjeorgjina Kuli pohoi se ka një rritje të infektimeve në këtë kategori.
“Që përpara dy muajsh kemi vënë re një rritje të infektimeve në moshat e vogla, veçanërisht mbi moshat 5 vjeç, megjithatë s’ka rritje të numrit të hospitalizimeve apo të rasteve të rënda. Rastet e rënda janë në përqindje të vogël, numri i fataliteteve është zero”.
Ajo tha se më të prekur, janë fëmijët mbi 5 vjeç. Sa i përket vaksinimit të fëmijëve, Kuli shtoi se po funksionon. “Janë vaksinuar fëmijët me sëmundje kronike autoimune, disa sëmundje metabolike etj, po ecën mirë vaksinimi. Po funksionon dhe po kryhet”.
Sa i takon incidencës 2 javore dhe ajo 1 javore, Komiteti deklaroi se vijon të ketë një tendencë drejt rënies, ndërsa numri mesatar i rasteve javore është 284.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.