Ngjarje

Konfirmohet gripi i shpendëve në Vlorë, 3 ditë më parë u gjetën dhjetëra zogj të ngordhur në plazh

Nga Gazeta Si- Në 5 janar, në Vlorë u konstatuan dhjetëra shpendë të ngordhur, ku pas njoftimit, specialistët e shërbimit veterinat të Vlorës morën mostra nga shpendët e ngordhur dhe i dërguan për analiza. Rezultatet e analizave kanë konfirmuar praninë e gripit të shpendëve tek shpendët e egër të gjetur të ngordhur.

Ky grip është identifikuar tek shpendët e ujit ose të egra, por deri tani nuk ka pasur raportime për kontakt me shpendët shtëpiakë, që nëse do prekeshin, do shkaktonte dëme të mëdha për bujqësinë në zonat rurale.

Demir Dervishaj mjek veterinar dhe zyrtar kontrolli në agjensinë e veterinarisë dhe mbrojtjes së bimëve ka konfirmuar se analizat kanë treguar prezencë të virusit H5N1.

Sipas mjekut veterinar ka rrezik për përhapjen e këtij gripi edhe tek shpendët e oborrit çka mund ta thellojë edhe më tej këtë epidemi. Gjithashtu, edhe pse më i vogël, ka rrezik edhe për të kaluar tek njerëzit. Mjeku veterinar thotë se në Shqipëri nuk ka ndodhur dhe shanset që të infektohen njerëzit janë të pakta.

Ai konfirmon se agjencia e veterinarisë dhe mbrojtjes së bimëve është në alarm dhe po bëhen depistime dhe monitorime në të gjithë zonën e Vlorës.

Edhe pse rastet tek njerëzit janë shumë të rralla, vitet e fundit bota është shqetësuar nga gripi i shpendëve pasi sipas ekspertëve, po përhapet me shpejtësi e po prek edhe njerëzit, ku ka pasur raste në Kamboxhia dhe Meksikë. Ndërkohë, në Amerikë është shënuar vdekja e parë nga H5N1.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë