Shendet

Konfirmohen në Maqedoni dy raste të lisë së majmunit

Nga Gazeta Si- Instituti i Shëndetit Publik i Republikës së Maqedonisë së Veriut (ISHP) konfirmoi mbrëmë se dy rastet e para të dyshuara me linë e majmunit janë pozitive.

Pacientët u referuan si raste të dyshuara, dhe u kërkuan gjithashtu teste për HIV, sifiliz dhe herpes. Pas kryerjes së analizave, Instituti konfirmoi se virusi i lisë së majmunit ishte zbuluar te të dy pacientët.

“Në përputhje me protokollet, menjëherë pas marrjes së rezultateve, u njoftuan të gjitha institucionet kompetente, përfshirë Ministrinë e Shëndetësisë, Klinikën për Sëmundjet e Lëkurës dhe Klinikën e Sëmundjeve Infektive”, informon ISHP.

Aktualisht, epidemiologët nga Instituti po kryejnë një anketë për të mbledhur të dhëna relevante për monitorimin e përhapjes së mundshme të virusit. Rekomandohet që pacientët që dyshojnë se janë të infektuar të kontaktojnë Klinikën e Sëmundjeve Infektive për monitorim dhe trajtim të mëtejshëm.

Sipas autoriteteve, nuk ka vend për panik por ende duhet monitorim.

Lija e majmunit është një infeksion viral, domethënë një sëmundje që transmetohet nga kafshët te njerëzit, por mund të transmetohet edhe midis njerëzve. Simptomat përfshijnë ethe, dhimbje koke, dhimbje muskujsh, zmadhim të gjëndrave limfatike dhe një skuqje karakteristike që zakonisht fillon në fytyrë dhe më pas përhapet në pjesë të tjera të trupit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë