Një vlerësim i Konfindustrisë, mbështetur në të dhënat e ardhura nga biznese të ndryshme tregon se kanë filluar të shfaqen shenjat e para të shkrirjes/falimentimit të një numri të madh sektorësh të ekonomisë në kushtet e përballjes me pandeminë Covid 19.
Rritja e shpejtë e papunësisë faktike, mungesa e likuiditetit, rënia e kërkesës në treg shoqëruar dhe me fillimin e zhvleftësmit të fortë të Lek-ut, gjykon Konfindustria, janë parathënie të një krize me pasoja të pallogaritshme në afatgjatë për ekonominë kombëtare dhe mirëqënien e qytetarëve shqiptarë.
Prandaj, shoqata e biznesit, i kërkon ekzekutivit, që me qëllim të zbutjes së pasojave të krizës dhe mos lejimit të shkuarjes deri në gjëndje të falimentimeve masive në ekonomi dhe deri në krizë humanitare, që mund të cenojnë qëndrueshmërinë shoqërore dhe rendin kushtetues, të vlerësojë marrjen e masave të reja që Konfindustria ofron.
Ajo i sugjeron qeverisë që të fillojë sa më shpejt procesi drejt normalizimit të gjendjes së aktiviteteve të bizneseve, të lëvizjes të njerëzve dhe mjeteve motorrike. Për këtë qëllim: – të zgjaten oraret e lejuara të qarkullimit ,- të shtohet numri i kategorive të bizneseve të lejuara. Në rajonet gjeografike të paprekuara dhe/ose të prekuara pak nga epidemia si dhe fermerët gjendja ti afrohet normalitetit.
Po ashtu Konfindustria sugjeron të kontrollohet dalja e valutës jashtë vendit, por para së gjithash të orientohet në masën maksimale të mundshme kryerja e shpenzimeve buxhetore në vijim në bizneset dhe prodhuesit vendorë sidomos në sektorin e bujqësisë dhe agroindustrisë.
Shoqata kërkon nga qeveria , të ndalojë daljen e valutës në formën e dividenteve të shpërndara për aksionerët e huaj të kompanive. Po ashtu, qeveria, të vlerësojë gjithashtu, kërkon Konfindustria, rritjen e tatimit të dividentit deri në masën 20% për të gjithë kompanitë, që punojnë në tregje të mbyllura me privilegje shtetërore si PPP, koncesione, licenca eskluzive, etj.
Për të gjitha bizneset, që kanë rritur të ardhurat si përfitim nga gjendja e jashtëzakonshme, sugjeron Konfindustria, qeveria të vlerësojë rritjen e tatim fitimit.
Një nga masat e tjera të sugjeruara nga shoqata është rishikimi thelbësisht i strategjisë së paketës së ndihmës për bizneset pavarësisht “madhësisë”, por mbështetur vetëm te kriteri i masës së pasojave te ndikimit të krizës. Sipas Konfindustrisë, duhet të përfshihen në paketën financiare të ndihmës lehtësimet e detyrimeve fiskale, taksa vendore dhe qëndrore për kategoritë e ndaluara/prekuara me ligj të bizneseve dhe punëmarrësve përkatës.
Gjithashtu, një sugjerim tjetër për qeverinë në këtë situatë emergjence shëndetësore dhe ekonomike është ndërtimi i skemave të sakta me financime në rritje për shtresat më në nevojë, të papunët formalë dhe informalë dhe bizneset më të goditura, me qëllim që shpenzimet të orientohen te qytetarët dhe njësitë ekonomike më të prekura dhe njëkohësisht si masa më efektive për shpërndarjen sa më të gjerë të mundshme të likuiditetit monetar në ekonomi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




