Treg

Konfindustria/ Studimi: Çmimet e karburanteve në Shqipëri më të lartat në Europë

Studimi më i fundit nga Qendra Kërkimore e Konfidnustrisë thotë se çmimet e karburanteve në Shqipëri janë më të lartat në Europë për 9 mujorin e parë të 2020-ës.

Ato sipas raportit tejkalojnë ndjeshëm edhe vende të pasura si Gjermania, Austria, Zvicra, etj. Gjithashtu, në nivel rajoni çmimet e karburanteve në tregun shqiptar janë afër 50% më të shtrenjta sesa shtetet fqinje si Maqedonia, Kosova, etj.

“Nëse, krahësimi do të bëhet sipas vlerësimit të treguesit PPP/Poëer Purchasing Parity, Shqipëria rradhitet ndër vendet me çmimet më të larta të karburantit në nivel botëror. Shqetësues është fakti, që ndërkohë që në tregjet europiane të shitjeve me pakicë të karburanteve në 9 mujorin e parë të 2020, rënia e çmimeve botërore të karburanteve u pasqyrua në nivelet e 45-80%, në tregun shqiptar ishte vetëm në 13-18%. Standarte tepër të ulta të cilësisë së karburanteve në qarkullim në Shqipëri, thellojnë edhe shumë më tepër problematikat e mësipërme.”- citon Konfindustria.

Sipas saj, çmimet e larta të karburanteve dhe cilësia e dobët e tyre, rrezikojnë drejtpërdrejt falimentimin e bizneseve prodhuese dhe të shërbimeve shqiptare, tërheqjen e investimeve të huaja dhe të vendit, rritjen e papunësisë, prekin rëndë mirëqënien e qytetarëve, duke goditur ashpër zhvillimin ekonomik në afatgjatë të vendit të prekur rëndë edhe nga pasojat e pandemisë COVID 19.

Konfindustria sugjeron, se vazhdimësia e çmimeve mjaft të larta absolute dhe krahësimore në nivel rajonal, europian dhe botëror të karburanteve, përbëjnë një nga shkaqet kryesore të fuqisë së ulët konkuruese të ekonomisë shqiptare.

 Shoqata e biznesit bën me dije se përmirësimi rrënjësor i funksionimit të tregut të karburanteve, do të jetë ndër kërkesat kryesore të saj ndaj partive politike në zgjedhjet e afërme të vitit 2021. 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë