Biznes

Konfindustria: Sistemi i ri i deklarimit të mos bëhet me koncesion

Pas referenit të shumëpërsëritur të organizmave ndërkombëtare në lidhje me rrezikun që i kanoset buxhetit të shtetit dhe ekonomisë së vendit nga PPP-të, konfindustria druhet se Tatimi mbi Vlerën e Shtuar mund të jepet me koncension PPP në kuadër të sistemit të ri të fiskalizimit.

“Shpresohet, që sistemi i ri i faturimit elektronik të mos ketë lidhje me dhënien në koncesion privat dhe/ose PPP të TVSH/tatimit mbi vlerën e shtuar të kundërshtuar nga FMN disa vite më parë” citon Konfindustria në një deklaratë për shtyp duke mbajtur qëndrim pozitiv në parim ndaj nismës së qeverisë për faturimin elektronik të bizneseve, por vlerëson, se afati i fillimit të zbatimit të tij të parashikuar në 1 janar të vitit 2020 është i pamjaftueshëm për të garantuar sukses.

Përndryshe, sipas Konfindustrisë, përveç vënies në dyshim të suksesit të shpresuar, nisma ligjore prek drejtpërdrejt seriozitetin e shtetit shqiptar para investitorëve dhe tregjeve ndërkombëtare financiare në afatgjatë .

“Konfindustria shpreh shqetësimin për miratimin me nxitim në Këshillin e Ministrave të një projekt ligji kaq të rëndësishëm për ekonominë kombëtare në afatgjatë, pa dhënë mundësi njohje paraprake dhe këshillimi me palët e interesuara. Konfindustria vlerëson, se projekt ligji përkatës i miratuar së fundmi në Këshillin e Ministrave, për veçoritë dhe ndikimin e ndjeshëm, që do të sjellë në jetën ekonomike të vendit, buxhetin e shtetit dhe aktivitetin e bizneseve, duhet të shoqërohet detyrimisht me të gjitha aktet nënligjore të nevojshme të zbatimit në praktikë, që sot mungojnë pothuaj krejtësisht”- shkruan ajo në deklaratë duke vijuar më tej se “Tipet dhe rradha e kategoritë e subjekteve, që do të detyrohen të përfshihen në sistemin e ri, ka vend për shqyrtim më të mirë. Vlerësimi kosto-përfitim financiar, që do të sjellë mënyra e re faturimit për ekonominë kombëtare në tërësi dhe për kategoritë e bizneseve në veçanti, kryesisht për biznesin e ashtuquajtur të “vogël”, është tjetër mungesë e papranueshme në relacionin shoqërues të projektligjit.”

Sipas Konfindustrisë, bizneseve u duhet dhënë mundësia, që përvec -kohës së detyrueshme për ripërshtatjen me sistemin e ri të faturimit elektronik, të njohin paraprakisht në mënyrë të hollësishme të gjitha - kostot e plota financiare të blerjes, futjes dhe mirëmbajtjes, - procedurat e zgjidhjes ligjore të problematikave të zbatimit, - njohjen me tregun e ofruesve të shërbimit, - rolin e agjencive shtetërore për të shmangur çmimet e larta të shërbimit nga mundësia e gjendjeve monopol ose oligopol në treg, etj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë