Treg

Konfindustria: Shqetësuese rritja e ndjeshme e çmimit të karburanteve pas zgjedhjeve

Me anë të një njoftimi zyrtar, Konfindustria ka shprehur shqetësimet për rritjen e menjëhershme të çmimit të karburanteve pas zgjedhjeve vendore.

Në reagim Konfindustria vëren se çmimet e rritura në tregun shqiptar nuk shkojnë në të njëjtin kah me çmimet e shteteve të rajonit.

“Bordi i Transparencës, menjëherë në javën e parë pas zgjedhjeve, rriti çmimin tavan të naftës me 6 lekë/litër. Sot në pikat e pakicës nafta tregtohet deri me 179 lekë/litër. Shqipëria i rikthehet përsëri çmimeve më të larta në rajon dhe nivel krahasimor nga më të shtrenjtat në kontinent.

Çmimet e rritura ndjeshëm të karburanteve në tregun shqiptar nuk shkojnë në të njëjtin kah me çmimet e shteteve të rajonit. P.sh në Maqedoni çmimi i produktit “naftë” i shprehur në Lek është më i ulët sesa 125 lekë/litër. Nëse do të bëhet krahasimi, përfshirë edhe ndryshimin fiskal, çmimi i “naftës” në tregun shqiptar është 15-20 lekë për litër më i shtrenjtë”, theksohet në njoftim.

Gjithashtu Konfindustria vlerëson, se vendimet e njëpasnjëshme të Bordit të Trasparencës në periudhën para dhe pas zgjedhore për çmimin e karburanteve krijojnë dyshime të arsyeshme, se janë jo vetëm kundër interesit publik, por edhe përdorim për qëllime politike.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë