Ofertat e pakërkuara duhet të ndalohen të gjithë sektorët. Gjithashtu duhet të ndalohet menjëherë edhe pjesëmarrja në kontrata koncensionare dhe PPP të kompanive “guackë” të regjistruara në parajsa fiskale.
Kjo është ajo çfarë thotë Konfindustria në një njoftim për shtyp.
Për Konfindustrinë, ndalimi i koncesioneve të “pakërkuara” vetëm për projektet e infrastrukturës rrugore dhe lënia hapur e mundësive për sektorët strategjikë të ekonomisë si HEC-et, sistemet energjitike, portet, aeroportet, shendetësi, etj., rrezikojnë ta kthejnë projekt ligjin vetëm në një retorikë politike pa asnjë ndikim të prekshëm.
Sipas shoqatës, ndryshimet në ligjin për “Partneritetin publik, privat dhe koncesionet e pakërkuara” të miratuara së fundmi në Këshillin e Ministrave, janë të pamjaftueshme dhe kanë nevojë për përmirësime thelbësore për të mbrojtur interesin publik.
“Prekja me nxitim dhe pa debat paraprak i një ligji të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të vendit në afatgjatë bëhet edhe më shumë shqetësuese në kushtet e krizës politike dhe mungesës së opozitës në Kuvendin e Shqipërisë. Ndryshimet e kryera lënë hapsira të shumta për subjektivizëm, korrupsion dhe shpërdorim të parave publike. Shqipëria është e papërgatitur në infrastrukturën institucionale të nevojshme për ndërtimin dhe zbatimin e politikave të PPP, që janë të ndërlikuara edhe për vende të zhvilluara.”- thotë Konfindustria.
Zbatimi i derisotëm i politikave PPP dhe koncesioneve të pakërkuar, shprehet shoqata, ka prodhuar pakënaqësi të mëdha te biznesi dhe qytetarët për shkatërrim konkurence, krijim monopolesh, dëme mjedisore, etj., ka thelluar borxhin publik në mbi 82% të PBB, ka rritur kostot financiare në energji, karburante, shërbime portuale, rrugë, aeroporte, shërbime publike, etj.
Në komisionet kuvendore është duke u diskutuar projektligji që ndalon ofertat e pakërkuara për kontratat e veprave infrastrukturore. Projektligji do të implementohet duke nisur nga korriku 2019-të.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.





