Konfindustria shpreh shqetësimin për mosarkëtimin në buxhetin e shtetit të mbi 115 milionë euro të të ardhurave të parashikuara në periudhën janar-nëntor 2019.
Me anë të një njoftimi për shtyp, Konfindustria shprehet se shuma e mësipërme përbën një deficit në nivelet më të larta historike.
“Gjendja bëhet edhe më shqetësuese duke pasur parasysh se afër 53 milionë euro ishte mosrealizimi i të ardhurave vetëm për muajin nëntor 2019. Kahu negativ i mësipërm mund ta çojë deficitin vjetor të të ardhurave deri në nivelin e 150 milionë euro”, thuhet në njoftim.
Konfindustria vlerëson, se rënia e fortë e të ardhurave buxhetore të parashikuara është e lidhur së pari, me uljen e fortë në afërsisht gjysmën e ritmit të rritjes ekonomike PBB/Prodhimit të Brendshëm Bruto në vitin 2019 nga parashikimi qeveritar.
Sipas saj, shkaqet e gjendjes së mësipërme janë problemet thelbësore strukturore të ekonomisë, politika fiskale, financiare dhe buxhetore joefektive. Rënia e fortë e importeve/eksporteve, shkalla e lartë e emigrimit të popullatës,lëvizjet e tregjeve ndërkombëtare ndikojnë drejtpërdrejt në mosrealizimin e të ardhurave të parashikuara.
Konfindustria vlerëson, se ndikim në rënien e të ardhurave buxhetore ka dhe menaxhimi në vazhdimësi i dobët nga agjencitë përkatëse fiskale me shenja të dukshme subjektivizmi, paaftësie dhe korrupsioni. Shembull i qartë për sa më sipër është edhe numri i lartë i përsëritjes së skemave kriminale me faturat e TVSH/Tatimit të Vlerës së Shtuar në shuma prej dhjetëra milionë euro të zbuluara.
Po ashtu një rol të dukshëm negativ, sidomos në rastin e skemave të mashtrimit me faturat e TVSH ka dhe sistemi i drejtësisë. Me përjashtim të shfaqjeve fillestare mediatike nuk ka të dhëna publike për dënimet e autorëve shtetërorë dhe privatë të lejimit dhe zbatimit në bashkëpunim të dhjetëra rasteve të përsëritura të skemave mashtruese me pasoja të rënda për buxhetin e shtetit dhe konkurrencën në treg.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje