Futboll

Konfigurohet Superiorja 2022-23, një kampionat i varfër në tituj

Gazeta Si – Pas fitores së Egnatias në ndeshjes shtesë me Korabin konfigurohet edhe Superiorja e sezonit 2022-23. Do të jetë një kampionat i varfër nga emrat. Elitës së futbollit shqiptar do t’i mungojnë shumë tituj kampionë.

Dhjetë skuadrat e sezonit të ri janë Tirana, Partizani, Vllaznia, Teuta, Kukësi, Laçi, Kastrioti, Egnatia, Bylisi dhe Erzeni. Dy të fundit janë ngjitur nga Kategoria e Parë. Ballshiotët kanë qenë vazhdimisht në elitë, kurse shijakasit kthehen pas një kohe të gjatë.

Stadiumi i Elbasanit, ekipit qe mungon ne elite prej vitesh. Gazeta Si, 1 qershor 2022

Fakt është se Superiorja e sezonit të ri do të jetë ndoshta më e varfra sa u takon titujve kampion. Do t’i mungojnë 18 titujt e Dinamos, 8 të Skënderbeut, 2 të Elbasanit dhe 1 i Flamurtarit.

Do të mungojnë gjithashtu emra të tjerë të njohur shkollash të futbollit në vend, si Besa, Apolonia, Lushnja, Tomori, Besëlidhja, Luftëtari e të tjerë. Të gjitha këto klube do të jenë pjesë e futbollit inferior sezonin e ri.

Kjo çështje ka qenë shpesh në qendër të debatit. Vërtet sot futbolli sot varet shumë nga ekonomia e tregut, por njëkohësisht duhet të ketë politika që të ndihmojnë skuadrat më me emër. Janë ato që prodhojnë talente dhe e ndihmojnë futbollin tonë të ecë përpara.

Sezonin e ri, ndoshta më shumë interes se Superiorja do të ketë Kategoria e Parë. Një pjesë e mirë e skuadrave me emër luajnë aty dhe mund të ketë më shumë rivalitet sportiv se në Superiore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë