Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri Edi Rama mbajti një fjalim të shkurtër, gjatë konferencës ndërkombëtare për rindërtimin e Ukrainës që u zhvillua në Romë.
Ai theksoi se Shqipëria, megjithëse një vend i vogël me burime të kufizuara, ka qenë dhe do të jetë krah Italisë dhe partnerëve evropianë në mbështetje të Ukrainës, sa herë që ajo ka nevojë.
Rama bëri thirrje që, krahas mbështetjes për rindërtimin dhe mbrojtjen e Ukrainës, Europa të mos e lërë paqen në “rresht të dytë” të mendimeve dhe veprimeve të saj. Ai paralajmëroi se fjalën “paqe” nuk duhet ta përvetësojnë vendet jashtë kufijve të Europës demokratike dhe as të përdoret për të ndarë shoqëritë brenda kontinentit.
Ai theksoi se Ukraina nuk është agresori në këtë luftë dhe se Europa nuk është një komunitet luftënxitës. Megjithatë, sipas tij, as dëshira për paqe dhe as fjalët nuk mjaftojnë për të ndalur luftën, nëse nuk ekziston një plan i qartë, i guximshëm dhe irrealisht tërheqës për të ardhmen e paqes në Evropë.
“Paqja është e vetmja e ardhme për të cilën mund të flasë Europa,” përmbylli Rama, duke rikujtuar fjalët e Papa Françeskut se paqja nuk është çështje e së shkuarës, por rruga drejt së ardhmes.
“Sidoqoftë, dua ta përmbyll duke ndarë me ju bindjen se ndërkohë që po bëjmë të gjitha gjërat e duhura për të mos ta lënë në baltë Ukrainën, ne nuk do të jemi të fortë mjaftueshëm për t’i dhënë fund kësaj lufte, për të shpëtuar Ukrainën në qoftë se nuk kemi plan tonin të fuqishëm, kurajoz e tërheqës për paqen. Paqja është e vetmja e ardhme për të cilën mund të flasë Europa”, tha ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




