Konferenca e Sigurisë këtë vit po zhvillohet nën hijen e tensioneve transatlantike dhe sinjaleve se Europa po rishikon orientimin strategjik, ndërsa marrëdhëniet me Uashingtonin po bëhen më të ftohta.
Një episod që u interpretua si tregues i kësaj distance ishte anulimi në minutën e fundit i një takimi nga Marco Rubio me drejtues europianë për çështjen e Ukrainës. Sipas zyrtarëve amerikanë, arsyeja ishte mbingarkesa në axhendë, por një zyrtar europian e cilësoi vendimin “skandaloz”. Gazeta Financial Times raportoi se takimi u konsiderua i pavlefshëm pa pjesëmarrjen amerikane.
Ky zhvillim vjen në një kohë kur administrata e Donald Trump shihet nga shumë kryeqytete europiane si gjithnjë e më e distancuar nga aleatët dhe më e prirur të shtyjë për një zgjidhje të shpejtë të luftës me Rusinë e udhëhequr nga Vladimir Putin.
Kancelari gjerman Friedrich Merz hapi punimet e konferencës duke e quajtur atë një “sizmograf të zhvillimeve globale”. Ai paralajmëroi se politika e fuqive të mëdha është bërë e ashpër dhe e paparashikueshme dhe se europianët duhet “të ndërrojnë çelësin në mendjet e tyre”, duke përcaktuar vetë objektivat dhe aftësitë strategjike.
Sipas tij, kontinenti duhet të forcojë kapacitetet ushtarake, të ulë burokracinë dhe të ndërtojë një marrëdhënie të re transatlantike, duke pranuar se varësia nga SHBA-të ishte një zgjedhje e vetë Evropës që tani po lihet pas. Ai përmendi si partnerë të mundshëm vende si Kanadaja, India, Turqia, Brazili dhe Afrika e Jugut.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



