Politike

Koncesioni i Sterilizimit / Vokshi: Pse janë ndryshuar shifrat e ndërhyrjeve dhe investimeve? Ish-zv/ministri Rrjepaj: Më duhet të shoh shënimet (Mohon njohjen me Ilir Rrapaj)

Nga Gazeta Si - Me pranga në duar dhe i shoqëruar nga forcat e policisë, ish-zvministri i Shëndetësisë Klodian Rrjepaj mbërriti në orën 10:00 në Kuvend për të dëshmuar për koncesionin e sterilizimit në Komisionin Hetimor të Shëndetësisë. Me kërkesë të Komisionit, Prokuroria e Posaçme dha leje që Rrjepaj të lërë qelinë e paraburgimit dhe të paraqitet fizikisht në komision. Kjo është hera e parë që një i paraburgosur merret në pyetje nga deputetët.

Që në fillim të fjalës së tij, Rrjepaj është shprehur se, “të thuash po hetojmë projektin e sterilizimit nuk është e drejtë. Është në kurriz të gjithë aktiviteteve të tjera që kryhen brenda këtij projekti”.

Më pas, i pyetur për masterplanin e QSUT-së për sterilizimin, Rrjepaj tha se ishte në dijeni të tij por se nuk i kishte rënë në dorë memoja e Ogerta Manastirliut në atë kohë drejtoreshë e QSUT-së e cila ia dërgoi ministrit të atëhershëm Beqaj ku pranohet se reparti qendror i sterilizimit në QSUT ishte teknologji avangardë për procesin e ripërshtatjes së sterilizimit me avull, sterilizimit në të thatë dhe mirëmbajtjes dhe ripërpunimit të të gjithë instrumenteve kirurgjikale.

"Jo nuk jam në dijeni. Nuk më ka ardhur kjo shkresë dhe nuk di nëse është dërguar përgjigje kësaj shkrese apo jo. Kjo shkresë nuk më ka ardhur mua. As nuk e kam parë në atë kohë. Kam pasur vetëm masterplanin e QSUT" deklaroi Rrjepaj.

Albana Vokshi u ndal edhe tek shifrat e ndryshme për investim të cilat në memon e Rrjepajt drejtuar ministrit të atëhershëm Beqaj ishin më të vogla se ato që i janë bashkangjitur studimit të fizibilitetit për në ministrinë e Financave.

“Më bën përshtypje që tabelat janë shifra të ndryshme. Tabela e memos që keni adresuar Beqajt në 10 tetor 2014 me tabelat dhe përshkrimin e studimit të fizibilitetit draftit të parë që ia keni bashkangjitur të njëjtës memo.

Në memon tuaj shifrat janë ndryshe nga studimi i fizibilitetit. Në njërën janë 50 mijë dhe çmimi për çdo kompleksitet është më i ulët, ndërkohë në dokumentin tjetër ke 37 mijë ndërhyrje duke rritur çmimin e kompleksiteteve. Pse shifrat janë ndryshe: 37 mijë me 50 mijë ndërkohë që është rritur çmimi?  Nuk mundet nga 50 mijë të shkohet në 37 mijë. Duket sikur në momentin e fundit duhet të jetë një dorë për të ulur numrin dhe rritur çmimin”, tha Vokshi.

Rrjepaj tha se në procesin e hartimit të tabelave ka pasur dhe diskutime si mund të ishin më mirë. Ka pasur një korrespondencë me ministrinë e Financave sa i takon tabelave dhe në komunikim ka ndikuar vlera e investment return rate (IRR). Ka komente nga ministria e Financave që nuk duhet të jetë e ulët por dhe as shumë e lartë.

“Numri 37 mijë është lapsus. Numrit që i jemi referuar për të ndërtuar këtë program është 50 mijë ndërhyrje. Por nuk është me rëndësi numri sepse kosto për njësi është për ndërhyrje kirurgjikale e del për njësi. Kostoja del për njësi. Është bërë formulë aritmetike e thjeshtë për të nxjerrë një rezultat”, tha Rjepaj.

Po Vokshi këmbënguli, duke thënë se dhe në tabelat e riinvestimit ka shifra të ndryshme.

“Ka komponentë që janë ndryshuar nga memo juaj të tabelave financiare tek studimi që keni bashkagjitur. Është drafti i parë i studimit që i dërgohet ministrisë së financave”, tha Vokshi, por mori si përgjigje “Më duhet të shoh shënimet”, nga Klodian Rrjepaj.

Ish zv/ministri Rrjepaj foli edhe për rolin e Ilir Rrapaj, duke thënë se ai ishte i ngarkuar nga rajoni i Umbrias si personi i kontaktit që do të mbante lidhjet për të ndërtuar marrëveshjen me këtë rajon.  “Rrapaj ka qenë i ngarkuar nga rajoni për të hartuar draftin e marrëveshjes, jo vetëm me ministrinë e Shëndetësisë por dhe ministri të tjera”, tha Rrjepaj.

Ish-zv.ministri i Shëndetësisë Rjepaj ka mohuar njohjet me biznesmenin Rrapaj, fitues i koncesionit të Sterilizmit.

Në Komisionin Hetimor për Koncesionet në Shëndetësi, ish-zv. ministri u shpreh se ka mbaruar fakultetin e Mjekësisë njëkohësisht me biznesmenin, por shtoi se “s’kemi qenë shokë, nuk e njihja as për emër, thjesht si fytyrë”.

Gjatë zhvillimit të Komisionit Hetimor për shëndetësinë çështja është ndalur edhe në kredinë e dytë të marrë për procesin e sterilizmit. Sipas Vokshit kredia nuk është në studimin e fizibilitetit dhe ka pyetur ish-zv.Ministrin se përse nuk është vendosur. Rrjepaj është përgjigjur se nuk ka qenë në dijeni për kredinë.

Më pas Kryetarja e Komisionit ka vijuar duke e pyetur edhe më tej për kredinë e dytë të munguar në planin e fizibilitetit, një kredi e miratuar nga Banka Europiane.

“E theksova se kredia 50 milionë e 600 mijë euro është bërë në 2014 dhe ka qenë kur ju ishit zv.Ministër. Objektivi i këtij komponenti është sterlizimi. Po flasim vetëm për repartin qëndror. Kredia e dytë e Bankës së Europës vendoset si komponent dhe kjo nuk shfaqet në asnjë vend”.

“Nuk kam qenë në dijeni, sepse plani fizibilitetit është miratuar në Tetor ndërkohë që kredia është miratuar në Nëntor”, u përgjigj Rrjepaj.

Vokshi ka vijuar më tej duke thënë se në 2013 janë bërë 13 intervente.

“Si kryetar i komisionit të kocesionit, pse i jeni referuar vetëm 1 viti dhe pse ai vit është përcaktues se çka ndodhur më parë apo çfarë do vinte më pas”.

Rrjepaj tha se I është referuar vetëm një viti sepse nuk ndikon në kosto.

Kryetarja e Komisionit e pyeti ish-zvministrin nëse ishte në dijeni të memos që ish-drejtoresha e QSUT, Ogerta Manastirliu i ka dërguar ministrit të asaj kohe, ku ngrite shqetësimin për mos vënien në punë të qendrës së sterilizimit.

Ish-zv.ministri tha se nuk ishte në dijeni të kësaj memo, nuk i ka shkuar atij kurrë dhe s’ka dijeni nëse i është kthyer përgjigje.

Po ashtu, do merren në pyetje edhe dy prej anëtarëve të komisionit që shpalli fituesin e koncesionit, Marsela Serjani dhe Petro Mersini.

Të dy janë në masë "detyrim paraqitjeje", por edhe për ta SPAK ka dhënë leje që të pyeten nga Komisioni.

Ndërkohë, më 3 tetor është parashikuar që të merret në pyetje edhe ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ndërsa pritet të dëshmojë edhe biznesmeni, Ilir Rrapaj.

Për ish-ministrin e Shëndetësisë, kryetarja e Komisionit Albana Vokshi tha se ende nuk është marrë përgjigja për lejen.

Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj është nën hetim nga SPAK prej një viti, si i dyshuar për shpërdorim detyre lidhur me 2 tendera të firmosura për "Sterilizimin" dhe "check"-up.

Deri tani, për koncesionin 100 milionë euro, në burg janë lënë ish-zv.ministri Klodian Rjepaj dhe biznesmeni Ilir Rrapaj.

Edhe Beqaj ndodhet në burg, por jo për këtë aferë, por për atë të shpërdorimit të fondeve të BE, "SASPAC", një hetim i nisur edhe ky nga SPAK.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë