Gazeta Si - Pas 3 vitesh hetime, me urdhër të SPAK, është arrestuar këtë të enjte ish zv. ministri i Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj, i akuzuar për shpërdorim detyre dhe biznesmeni që fitoi koncesionin, Ilir Rrapaj, i akuzuar për “mashtrim me pasoja të rënda” për aferën e "sterilizimit".
Për të njëjtën çështje penale, GJKKO ka caktuar masat e sigurisë “detyrim për paraqitje” në mungesë për mjekun Arben Gjata (shef i Kirurgjisë në QSUT), Naile Ajazin dhe Genc Byrazerin.
Dy ish-zyrtarë të tjerë të Ministrisë së Shëndetësisë u lanë në "arrest shtëpie": Saimir Kadiu (drejtor ekonomik) dhe Marsela Serjanaj (drejtoreshë juridike). Masat e kërkuara nga SPAK janë për akuzat e “shpërdorimit të detyrës” dhe “falsifikimit të dokumenteve”.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar njoftoi pas mesdite zyrtarisht se ka regjistruar procedimin penal nr.13 të vitit 2020 që bën fjalë për veprat penale të “Shpërdorimi i detyrës” në bashkëpunim, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrëve në tendera apo ankande publike” kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 258-25 i Kodit Penal, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetëror ose i të zgjedhurve vendorë”.
Kjo në lidhje me procedurën e dhënies me koncension “Për shërbime të integruara për ofrimin e setit të personalizuar të instrumenteve kirurgjikalë, furnizimin me material mjeksor steril njëpërdorimësh në sallat kirurgjikale si dhe trajtimin e mbetjeve biologjike dhe dezinfektimin e sallave kirurgjikale”, nga Ministria e Shëndetësisë.
"Hetimet vazhdojnë në drejtim të evidentimit të përgjegjësisë penale të personave të tjerë të cilët gjatë kësaj procedure kanë kryer veprime në kundërshtim me ligjin dhe përmbushjen e rregullt të detyrës", njofton SPAK.
Ish-zëvendësministri Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj është pyetur disa herë në Spak për koncesionin e sterilizimit.
Për këtë çështje u mor në pyetje më 4 gusht të këtij viti, ish-ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, për afro 2 orë e 30 minuta.
Denaj dha deklarime lidhur me koncesionin e sterilizimit të nënshkruar në vitin 2015 nga ministria e Shëndetësisë. Për koncesionin e sterilizimit më herët është marrë në pyetje edhe ish-ministri Ilir Beqja.
Dhënia e koncesionit të sterilizimit u firmos në vitin 2015 mes ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqja dhe kompanisë koncesionare, “SaniService. Në vitin 2016, Prokuroria e Tiranës kreu një hetim mbi këtë koncesion, por pushoi hetimet.
Por pas 3 vitesh, me ngritjen e SPAK-ut, një kallëzim u bë nga përfaqësues të "Nismës Thurje", të cilët kanë denoncuar penalisht zyrtarët e përfshirë në dhënien me koncesion të procesit të sterilizimit.
Më herët, një auditim i KLSh-së ka konstatuar se pajisje me vlerë gati 107 milionë lekë të blera nga qeveria shqiptare, iu dhuruan koncesionarit pa pagesë dhe pa asnjë parashikim në kontratë.
Denoncimi publik i mjekut Artan Koni në dhjetor 2019
Përpara se dosja e “sterilizimit” të mbërrinte te SPAK, kur kjo strukturë e drejtësisë ende nuk ishte ngritur, indicjet e para dyshuese erdhën nga mjeku Artan Koni, i cili ndihmoi edhe Nismën Thurje për ta çuar këtë kallëzim të parë drejt SPAK.
Artan Koni tha në media atë kohë se “Dyshimet e para kanë nisur në fund të vitit 2018, kur doli lajmi se qeveria ka paguar 3.6 mln euro më shumë se planifikimi për këtë koncesion. Pse ndodhi kështu? Duke u nisur nga kjo ne hulumtuar për kostot reale të sterilizimit dhe në fund të këtyre llogarive, ne na doli se kostot totale për sterilizimin e një seti është 2.4 euro, ndërsa ne i japim koncesionarit mesatarisht 190 euro. Supozojmë se ne e kemi bërë llogarinë gabim dhe shohim sa e ka bota. Mesatarja e një seti në Gjermani është 0.8 euro, në Turqi është 1 euro. Sado të jetë gabimi që ne mund të kemi bërë diferenca është jashtëzakonisht e madhe. Nga këtu ka lindur e gjithë historia e këtij koncesioni që dyshohet të jetë abuziv.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.