Politike

Koncesionet në shëndetësi, dakordësi mes pozitës dhe opozitës. PS kërkon shtrirje të hetimit që nga viti 2009

Anëtarët e mazhorancës dhe opozitës në komisionin hetimor për Shërbimet Publike të Sterilizimit dhe të Check-Up në Shëndetësi miratuan sot 6 pika të planit të hetimit të këtij komisioni, si dhe kërkesat për marrje provash.

Kryetarja e komisionit, Albana Vokshi hodhi për votim miratimin e këtyre pikave të rendit të ditës, ndërkohë që deputetët vijuan diskutimet lidhur me kohështrirjen e hetimit për kontratën e shërbimit të sterilizimit.

Vokshi sqaroi se propozimi i opozitës lidhur me përcaktimin e kufijve të juridiksionit të hetimit është që komisioni të fillojë hetimin nga viti 2014 dhe fillimi i vitit 2015, kur është edhe fillimi i periudhës koncesionare, dhe në vijim deri më sot.

Nga ana tjetër nënkryetari i komisionit, Plarent Ndreca kërkoi që komisioni hetimor ta shtrijë periudhën e hetimit për kontratën e shërbimit të sterilizimit prej vitit 2009.

“Ne i kemi sheshuar të gjitha çështjet problematike. Kemi diskutuar mbi të gjitha pikat e planit të hetimit dhe jemi dakordësuar në parim mbi 6 pika nga 7 pikat e planit”, tha ai.

Por, Ndreca theksoi që kontrata e sterilizimit duhet hetuar në gjithë kontekstin paraprak të kësaj kontrate.

“Komisioni duhet të ketë informacion të plotë deri në momentin që është lidhur kontrata. Cili ka qenë konteksti i vendimmarrjes së qeverisë. Kontrata është lidhur në tetor 2009. Kështu që ne mendojmë se duhet vlerësuar e gjithë panorama. Të kemi informacion para lidhjes së kontratës, në momentin e lidhjes dhe pas lidhjes së kontratës”, deklaroi Ndreca.

Deputeti i PD-së Edmond Spaho theksoi se opozita ka kërkuar hetimin e një çështje të caktuar për dy kontrata të hartuara, të miratuara dhe të zbatuara nga qeveria e majtë pas vitit 2013.

“Të fillosh të kërkosh para kësaj periudhe është të fusësh punën e komisionit në qorrsokak. Nëse jeni të interesuar për të hetuar për këtë çështje keni gjithë të drejtën për ta bërë, ngrini komision tjetër hetimor dhe ne ju japim dakordësinë. Ne objektin e kemi mbi dy kontratat e vitit 2014 e këtej. Rasti që duam të hetojmë ne është kontrata koncesionare që këtë shërbim shteti ja ka dhënë koncesionarit dhe duam të shohim si është administruar. Kjo e juaja është strategji për ta shtyrë në ‘kalendat greke’ punën e këtij komisioni”, tha Spaho.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë