Partia Demokratike denoncon koncensionin e sterilizimit të instrumenteve kirugjikalë, duke e cilësuar prova më flagrante të korrupsionit të qeverisë.
Ish-deputetja e PD-së, Oriola Pampuri në një deklaratë për mediat theksoi se koncesioni i sterilizimit është vjedhje e hapur e një shërbimi që shteti mund ta kryente vetë me shumë më pak para. Që kur nisi nga funksionimi, ky koncesion 10 vjeçar i ka marrë buxhetit rreth 5 milionë euro më shumë, duke u bazuar në kontratën korruptive të firmosur nga qeveria e Edi Ramës.
” Mjekët vetë kanë denoncuar se kur shteti e bënte vetë sterilizimin kosto shkonte në 2.4 euro për një set kirurgjikal, sot që ky shërbim është dhënë me koncension kushton 190 euro një set kirurgjikal. Pra 80 herë më shumë. Nëse shteti do të vijonte ta kryente këtë shërbim vetëm për vitin e kaluar për rreth 90 mijë operacione, kosto do të ishte 215 mijë euro. Ndërsa sot për të njëjtin numër operacionesh duhet të paguajmë 17 milion euro, falë qokave që Edi Rama duhet tu bëjë oligarkëve”, theksoi Pampuri.
Partia Demokratike shprehet se është e vendosur ta anulojë këtë koncesion korruptiv, që zhvat qytetarët, varfëron buxhetin e shëndetësisë dhe pasuron njerëzit e Edi Ramës.
“Po ashtu edhe vetë Ministria e Financave raporton që kontrata e koncensionit të sterilizimit ka dalë jashtë kontrolli. Sipas këtij raporti, parashikimi i bërë në kontratë nga qeveria ka qënë i gabuar, pasi në kontratë është 62. 957 ndërhyrje, ndërkohë që vetëm për vitin 2018 janë realizuar 117. 000 ndërhyrje. Ulja e sasisë së ndërhyrjeve në kontratë është kryer qëllimisht. Kështu që buxheti I shtetit ka kryer pagesat e detyrimeve për tejkalimin e numrit të ndërhyrjeve gjatë vitit që ishin 610 milion lekë, ose rreth 5 milion euro më shumë të cilat janë paguar në vitin 2019”, theksoi Pampuri.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.