Dhëndri i ish-kryeministrit Berisha, Jamarbër Malltezi ka lënë qelitë e burgut 313 dhe, ndërkohë që SPAK vazhdon hetimet, ai ndodhet prej gati 48 orësh në arrest shtëpie. Një gjendje që sjell plot kufizime të lirisë, përfshirë edhe atë të komunikimit. Po deri ku shkon vija e kuqe? A mund të flasë lirshëm Jamarbër Malltezi me mediat, kur gjykata ka urdhëruar se i lejohet komunikimi vetëm me personat e familjes? Për avokatin e tij, Genc Gjokutaj kjo çështje duhet të zgjidhet sërish nga gjykata
Në një intervistë për Gazeten “Si”, zoti Gjokutaj foli për nevojën e interpretimit që gjykata duhet t’i bëjë komunikimit për të përcaktuar qartë vijat e kuqe. Gjatë intervistës për Gazetën Si, avokati i Jamarbër Malltezi flet edhe për shqetësimin e ngritur se gjyqtarja që vendosi për lehtësimin e masës së sigurisë ishte në konflikt interesi…
A mundet Jamarbẽr Malltezi tẽ komunikojẽ me median dhe tẽ pẽrdorẽ rrjetet sociale sipas urdhrit tẽ gjykatẽs?
“Av. Genc Gjokutaj: “Në dispozitiv të gjykatës thuhet caktim i masës së sigurimit “arrest në shtëpi” dhe i ndalohet të komunikojë me persona të tjerë, përveç anëtarëve te familjes. Komunikimet e tjera apo rrjetet sociale janë liri për të cilat gjykata duhet të shprehet. Deri më sot, nuk ka një praktikë të tillë. Mendoj që ka nevojë për një interpretim, nëse ky komunikim me persona të tjerë përfshin edhe median, edhe rrjetet sociale, sepse kjo pjesë mbetet e paqartë”.
Do t’ia kërkoni Gjykatës këtë interpretim?
“Nëse do të na duhet, ne do t’i drejtohemi gjykatës se s’bën me një interpretim”.
Ndërkohë, Jamarbër Malltezi do të ketë komunikime me median derisa ju të bëni këtë kërkesë?
“Nuk e di, nuk besoj”.
Ju si avokat, çfarë i sugjeroni?
“Deri tani, nuk kemi përdorur praktika të tilla dhe në këto kushte do të shikojmë çfarë do të bëjmë. Deri tani kemi, komunikuar me deklarata të Abit nga burgu, por përmes ne, avokatëve”.
Pra, ai mund të flasë përmes jush, por çështja qëndron, nëse ai mund të japë një intervistë psh?
“Përmes nesh nuk ka problem. Unë mendoj se ne duhet t’i drejtohemi gjykatës për interpretim, por më parë duhet marrë dakordësia e tij. Sepse, ai mund të marrë iniciativë për intervistë, por nëse ka një reagim nga SPAK, e merr vetë përgjegjësinë pastaj”.
Zbutjen e masës së sigurisë ju e konsideroni si parathënie të rrëzimit tẽ aktakuzẽs apo kjo është një masë rutinë e pritshme?
“Themeli i çështjes ka një tjetër kuptim në lidhje me masën e sigurisë. Ne kemi kërkuar shfuqizim, pasi ai nuk është subjekt fare i nenit për korrupsion aktiv. Sepse Jamarbri nuk ka qenë asnjëherë zyrtar i lartë, as i zgjedhur. Nëse gjykata do t’i ishte referuar themelit të çështjes, do ta kishte shfuqizuar masën fare. Megjithatë, ne ruajmë një rezervë, pasi gjykata ka shpallur vetëm dispozitivin, pra pjesën urdhëruese të vendimit. Ndërsa arsyetimi nuk është shpallur ende. Kur ta marrim të arsyetuar do të shohim dhe shkaqet që gjykata ka vlerësuar për të ndryshuar masën”.
Gjyqtarja që ka vendosur lehtësimin e masës së sigurisë për Jamarbër Malltezin, a gjendet në konflikt interesi, siç flitet në disa media, për shkak se ka blerë dikur një pronë tek kompleksi me investitor Jamarbër Malltezin?
“Pronat kanë qenë në shitje dhe të gjithë mund të shkojnë në treg të shesin dhe të blejnë një apartament sipas rregullave të tregut. Çdo gjyqtar do të blejë diku një banesë. Nëse e marrim këtë për bazë, vendoset një praktikë e tillë që një gjyqtar të mos blejë asnjëherë, sepse ndërtuesi nesër mund të ndodhet në një situatë penale. E thënë kështu, nuk ka konflikt interesi”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.