Muzike

Kompozitorja që e çon Shqipërinë në Eurovizion: Ktheju etnosit!

Nga Suadela Balliu - Në çaste frymëzimi, si ato që e bëjnë të ulet e të shkruajë muzikë, i gjithë procesi duket aq transcendental, sa bëhet e vetëdijshme për veprën që ka kompozuar, kur e ka përfunduar.“Mendoj se fakti që e përdor kaq shpesh në krijimet e mia, them se e kam brenda vetes dhe del ashtu, natyrshëm”, thotë kompozitorja Eriona Rushiti, ndërsa e ka fjalën për elementet folklorikë, të përdorur në këngën “Ktheju Tokës”, fituese e Festivalit të 57 –të të Këngës në Radio Televizionin Shqiptar, me muzikë dhe vargje nga Rushiti, kënduar nga Jonida Maliqi. “Do të kisha dashur që çdo shtet të kishte një portret të vetin, në Eurovizion”, thotë kompozitorja, duke zbuluar se puna për përfaqësimin e Shqipërisë në Festivalin Europian të Këngës, që këtë vit organizohet në Izrael, pas fitores së këngëtares Netta Barzilay, me këngën “Toy”, në maj të 2018-ës, në Portugali. Ajo çka u vendos, duket se njëzëri në grupin e punës, mes kompozitores Rushiti, orkestruesit Enis Mullaj dhe këngëtares Jonida Maliqi – nisur edhe nga komentet e shumta në rrjetet sociale – ishte që, kënga të këndohet në gjuhën shqipe. “Tingëllon shumë autentike”, thotë kompozitorja, megjithëse e sheh krijimin e saj një lloj eksperimenti “mes folkut dhe modernes”.

Vargjet, të cilat Eriona Rushiti i ka shkruar, pasi krijoi muzikën dhe mori miratimin e këngëtares Jonida Maliqi - e cila fillimisht u druajt në këtë kthim pas 11 vitesh mungese në festival - kanë harmoninë e tingullit. “Në të gjitha krijimet, kam përdorur tekstet e mia, sepse siç e njoh unë një notë që kam hedhur, sado i afërt të jetë poeti me mua, nuk do të arrijë të futet në linjën melodike; ku dua të marr frymë, ku qëndron një zanore më bukur…”, thotë Rushiti.

Nga e majta: Eranda Libohova, vend i tretë në Fest 57, kompozitorja Eriona Rushiti, fituesja e vendit të dytë Lidia Lufi dhe Jonida Maliqi, fituese e festivalit me këngën "Ktheju Tokës. Nga e djathta, prezantuesit: Ana Golja dhe Viktor Zhusti

Megjithëse e fokusuar tek muzika serioze, në krijimtarinë e saj si kompozitore, pranon se Festivali i muzikës së lehtë, veçanërisht ai i Radio Televizionit Shqiptar mbetet një aktivitet i rëndësishëm. “Për shkak të traditës që ka, por edhe për faktin që jam rritur me atë festival”, tregon Rushiti, ndërsa këngët e festivalit të dhjetorit e kanë shoqëruar nga fëmijëria, kur i hidhte vargjet e këngëve, emrat e këngëtarëve dhe krijuesve në një bllok shënimesh. Tanimë, si profesioniste, me studime pasuniversitare dhe një pjesë të doktoraturës në kompozicion, në Bukuresht, orkestra e Radiotelevizionit është një nga elementët që e bën të marrë pjesë me krijimet e saj. Thotë se, pas eksperimentimeve për vite me radhë në muzikën shqiptare, duke krijuar këngë që i qaseshin fytyrës së tregut të huaj, prirja e viteve të fundit është një rikthim tek etnosi.

Edhe në festivalin e këtij viti, mendon ajo, thuajse në çdo këngë ndihej një nuancë folklori. Duke e dashur aq shumë muzikën folklorike shqiptare, duke e përfshirë atë edhe në krijimet e muzikës serioze, ka përdorur melodinë e fyellit, si tingull i këtyre trojeve dhe ritmin e daulles, që ndërmend vallen e burrave, që rrahin tokën, siç shkruan edhe Ismail Kadare në poezinë “Vallja shqiptare” Tri herë opinga rrahu dheun… Ishte ky imazh që solli më pas vargjet Ktheju tokës tende/ O njeri që zemrën lë peng/ Ktheju tokës tende/ Ti e di një zemër të pret…
Megjithëse këta elementë të dy instrumenteve arkaike mund të të sillnin në parafytyrim emigrimet e hershme nga trualli shqiptar, nga koha e arbëreshëve drejt Italisë, Rushiti thotë se pati në mendje historinë më të vonë të emigrimeve, atë që nisi me valën masive, që u pagëzua më vonë si Eksodi i Viteve ’90. “Edhe situata aktuale, me shumë të rinj që duan të ikin. Më vjen shumë keq që po mbetemi pak dhe kjo më shtyu”. Megjithatë, shton, se fenomeni i emigracionit është global dhe se e ka prekur historinë njerëzore, në epoka të ndryshme. “Popujt kështu kanë lëvizur”, thotë ndërsa përmend italianët kur largoheshin masivisht drejt Amerikës, në fillim të viteve ‘900.

https://www.youtube.com/watch?v=iQWNLc4eLT8
Kënga "Ktheju Tokës", fituese e Fest 57, kënduar nga Jonida Maliqi


Mesazhi duket sikur përkon disi edhe me historinë e popullit të Izraelit, që pas shekujsh të shpërndarë nëpër botë, në vitin 1948 themeluan shtetin e Izraelit, duke qenë se më 2019-ën, Eurovizioni do të mbahet në Tel Aviv, më 14, 16 dhe 18 maj. Sipas kompozitores, këngëtarët që shkojnë në Eurovision, garë në të cilën Shqipëria është përfaqësuar 15 herë, nga viti 2004, duke përfshirë edhe prezantimin e Jonida Maliqit, pas disa muajsh, mbajnë një peshë të rëndë mbi shpinë. “Duket sikur kanë Shqipërinë në kurriz”, thotë Rushiti, duke premtuar se do të bëjnë më të mirën në këtë përfaqësim. Kënga “Ktheju Tokës” nuk do të jetë e para që këndohet në gjuhën shqipe në Eurovision,. Edhe kënga “Mall” nga Eugent Bushpepa, që përfaqësoi Shqipërinë vitin e kaluar në Lisbonë u këndua në shqip, ndërsa i pari që këndoi në gjuhën shqipe ishte Luiz Ejlli, me “Zjarr e ftohtë”, më 2006-ën. Edhe Olta Boka, dy vjet më vonë do të zgjidhte ta këndonte në shqip këngën e saj “Zemrën e lamë peng” . Më 2012-ën, ishte Rona Nishliu me këngën e saj “Suus”, e cila u rendit e pesta, duke shënuar edhe renditjen më të lartë të Shqipërisë në këtë eveniment të muzikës europiane. Një vit më vonë Adrian Lulgjuraj dhe Bledar Sejko do të çonin rrok në gjuhë shqipe, në Malmo të Suedisë. Megjithëse prej vitesh, votimet në Eurovision e bëjnë festivalin të duket më shumë sesa muzikor në një event gjeopolitik, ku funksionon parimi i fqinjësisë së mirë, në një garë sado të vogla të jenë gjasat, shkohet për të fituar.

Rushiti dhe Maliqi në Post Festival, në RTSh.

“E dimë sesi funksionin Eurovizioni, por them që të shkojmë për të lënë një shenjë. Kështu u futëm edhe në festival; për të bërë diçka të bukur dhe ja ku jemi. Do të shkojmë pa pretenduar gjëra të mëdha, me këmbë në tokë, për të bërë më të mirën”, thotë Rushiti. Parimi për të lënë një shenjë e ka ndjekur gjithnjë në punën e saj. Edhe në paraqitjet e mëhershme në festivale, ka zgjedhur vokale të dallueshëm si Semi Jaupaj, e cila konkurroi në “Kënga Magjike” të vitit 2015, me një këngë të kompozuar dhe shkruar nga Eriona Rushiti, titulluar “Veç lotët”. Një vit më vonë do të bashkëpunonte me këngëtaren Festina Mejzini, po në “Kënga Magjike” me këngën “Si dielli hanën”. “Sot ka shumë prodhimtari në muzikë dhe i gjithë sekreti profesional është të lësh një shenjë, me një timbër, me një gjetje të veçantë muzikore, me një tekst- mesazh që nuk është prekur. E mira është të lësh një gjurmë, të mos jetë një krijim që shkon e vjen dhe, harrohet”.

https://www.youtube.com/watch?v=EPQXQWkWBPQ
Semi Jaupaj me këngën "Veç lotët", krijim i Eriona Rushitit, "Kënga Magjike" 2015


Kjo e çoi t’i propozonte Jonida Maliqit, të këndonte këngën e saj, edhe pse e dinte se ajo kishte bërë shkëputje të gjatë nga skenat e festivaleve të këngës. “Jonida është emocionale si natyrë dhe, përderisa kisha një këngë me shumë emocion dhe ndjeshmëri, mendova kush mund ta përcjellë dhe mendja më shkoi te Jonida”, kujton duke e vlerësuar këngëtaren, dikur studente në Universitetin e Arteve, ku Rushiti është pedagoge, si një vokal me shtrirje të madhe dhe timbrikë të veçantë. “Jonida është figurë genuine sa i përket këngës. Nuk ka bërë kompromise me këngën”. Rushiti duket se i ka menduar në hollësi të gjitha, duke kaluar edhe përtej vokalit, stili i të kënduarit, e deri tek portreti dhe paraqitja e përgjithshme. “Të gjitha këto më çuan tek Jonida.”

https://www.youtube.com/watch?v=cB-Rzl-MqKI
FEstina Mejzini, me këngën "Si dielli hanë", me vargje dhe muzikë të Eriona Rushitit, "Kënga Magjike", 2016


Këngëtarja, e bindur se e kishte mbyllur fazën artistike në garat e festivaleve, u bind sapo dëgjoi versionin demo të këngës dhe pranoi ta këndonte në Festivalin e 57-të të Këngës. Përtej garave në muzikën e lehtë, Eriona Rushiti është e pamungueshme me kompozimet e saj në aktivitetet artistike të muzikës serioze. “Jam munduar të mos lë asnjë eveniment, që ndodh në jetën artistike të muzikës serioze, si në Festivalin e Romancave, po ashtu në Pianodrom, të cilin e organizon Aleksandër Peçi” , rrëfen Rushiti, duke shtuar se është gjithashtu pjesë e një CD-je muzikore, titulluar “Albanian Memories”, realizuar para disa vitesh nga violinisti i njohur, Klajdi Sahatçi, me një karrierë jashtë vendit, spalë e orkestrës së Zyrihut, “Tonhalle” dhe pianistja Dhurata Lazo. Rushiti rrëfen se u shkroi veprën, të cilën e titulloi “Memories”. “Duket se atyre u pëlqeu ky titull, që e përdorën për të titulluar të gjithë diskun “Albanian Memories”.

CD me krijime për violinë e piano të kompozitorëve shqiptarë.

Disku përmban vepra për violinë dhe piano të shkruara nga kompozitorët e shquar shqiptarë, para viteve ’90 si Pjetër Gaci, Albert Paparisto, Feim Ibrahimi, Çesk Zadeja, Rafet Rudi, Nikolla Zoraqi apo Aleksandër Peçi, ndërsa Rushiti ishte e vetmja prurje e re, pas ’90. Violinës, me të cilën e nisi rrugëtimin muzikor kur ishte vetëm gjashtë vjeç, thotë se i kthehet herë pas here për nostalgji, por tanimë karriera e saj është me të gjithë fokusin drejt kompozicionit. “E hap dhe luaj, kur kam mall, por duhet të ushtrohesh pesë deri në gjashtë orë në ditë që të jesh në formë. Nuk mund të them se e studioj. Kam angazhime të tjera, në krijimtari dhe pedagogji”, thotë, ndërsa përpiqet t’u japë mbështetje kompozitorëve të rinj që përgatiten në bankat e Universitetit të Arteve. “Jam mbështetëse dhe kureshtare për të ndjekur çfarë veprash të reja sjellin. Jam shumë afër studentëve”, thotë Rushiti.

E pyetur nëse të rinjtë janë të ndikuar më shumë nga muzika botërore sesa nga elementët e etnosit, Rushiti thotë: “Muzika jonë nuk duhet të mbetet e kufizuar. Kemi qenë mjaft të izoluar. E gjithë dëshira është që muzika jonë të gjejë vend të pëlqyer, jo vetëm këtu brenda. I gjithë synimi është të marrim dhe të thithim gjithçka që bën bota”. Edhe pse është e dhënë pas elementëve të flokut, i pashfrytëzuar mjaftueshëm në muzikën shqiptare, Rushiti thotë se zgjedh gjithnjë gërshetim me frymën moderne dhe e sjell identitetin e vendit, në një formë të sofistikuar. Janë ato bulëza që kur përdoren nga profesionistë e bëjnë këngën të lulëzojë. Gjithaq nuk është hera e parë që Shqipëria përfaqësohet me këngë, që kanë elementë të folklorit, shqiptarët – kudo ku janë të shpërndarë në diasporë – do të dëgjojnë mesazhin e këngës, që u bën thirrje të kthehen në vendin e tyre dhe do të shpresojnë, në mos tek fitorja, tek një renditje në dhjetëshen e më të mirave të Europës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë