Para

Kompanitë offshore, si bëhet pastrimi i parave në Shqipëri?

Edhe pse është një problem i injoruar prej kohësh, Shqipëria rrezikon të futet sërish në listën gri të vendeve me rrezik të lartë të pastrimit të parave, nga Moneyval që është një mekanizëm i Këshillit të Evropës. Në raportin e nxjerrë së fundmi, autoritet evropiane ngrenë alarmin se masat e marra nga Shqipëria kundër pastrimit të parave, financimit të terrorizmit dhe prezencës së kompanive offshore janë të pamjaftueshme.

Duke theksuar se në vendin tonë pastrimi i parave është i lidhur ngushtë më korrupsionin, Moneyval; ngre sidomos alarmin për rrezikun që vjen nga kompani që nuk kanë pronësi të qartë. Sipas zyrtarëve evropianë, të ardhurat e këtyre kompanive vijnë zakonisht nga trafikimi i lëndëve narkotikë, evazioni fiskal dhe korrupsioni.

“I lidhur me aktivitetet e krimit të organizuar, korrupsioni gjeneron shuma të konsiderueshme të të ardhurave kriminale dhe dëmton seriozisht funksionimin efektiv të sistemit të drejtësisë penale”, shkruhet në raportin e Moneyval. “Autoritetet shqiptare janë të vetëdijshme për këto rreziqe, por deri më tani nuk i kanë kushtuar shumë vëmendje pastrimit të parave që lidhet me korrupsionin”.

Të ashtuquajturat “beneficiary onwnership”, janë kompani ku pronarët ligjorë dhe përfituesit realë nuk janë të njëjtë. Një kompani offshore ka pamjen e jashtme të biznesit legjitim, por në të vërtetë është thjesht një guackë bosh që nuk bën gjë tjetër veçse menaxhon paratë që janë në të, ndërsa fsheh se kush është zotëruesi i tyre. Menaxhimi i saj kryhet nga juristë, kontabilistë apo pastrues, të cilët thjesht firmosin dokumentat dhe lejojnë që emri i tyre të shfaqet në krye të letrave.Në raportin e tij, Moneyval thekson se në vendin tonë nuk ekzistojnë mekanizma që identifikojnë dhe përshkruajnë proceset për sigurimin dhe regjistrimin e informacionit për kompanitë offshore përveçse si pjesë e proceseve të verifikimit të entiteteve raportuese.

“Kemi identifikuar mangësi teknike në lidhje me saktësinë dhe përshtatshmërinë e të dhënave në lidhje me kompanitë offshore si dhe kontrollin e informacionit të personave juridikë si dhe mungesa e masave për të garantuar që bartësit e aksioneve nuk keqpërdoren për pastrim parash dhe financim të terrorizimit”, thotë raporti.

Ai ngre alarmin se edhe informacionet për ndryshimin e pronësisë nuk mund të konsiderohen plotësisht të sakta dhe se në shumicën e rasteve qasja ndaj këtyre informacioneve është shumë e kufizuar.

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë Luigi Soreca

Alarmi për rrezikun e kompanive offshore në vendin tonë u ngrit edhe nga Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë Luigi Soreca, i cili i bëri thirrje më 30 tetor qeverisë shqiptare të rriste masat kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.

“Ju e dini shumë mirë se forcimi i luftës kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe pastrimit të parave është prioritet i BE-së. Ka pasur referenca të qartë për këtë prioritet në Strategjinë e Ballkanit Perëndimor të miratuar nga Komisioni Evropian shkurtin e kaluar. Kjo përparësi u bë qartë nga zyrtarët evropianë në Samitin e Sofjes të mbajtur në maj”, deklaroi Soreca në një konferencë në Tiranë.

Rasti i fundit ishte ai kompanisë offshore “DH Albania”, e cila fitoi dy tendera me vlerë totale 30 milionë euro për ndërtimin e një pjese të Unazës së Re. Ishte misioni i mediave ai që zbuloi se kompania kishte dokumente të falsifikuara.

Kompania Dunwell Haberman u themelua më 25 qershor 2018 në Delawere të Shteteve të Bashkuara, njohur si parajsë fiskale dhe një muaj më pas hapi degën e saj në Shqipëri, DH Albania. Ekstrakti i kompanisë në QKB tregon se përfaqësuesi në Shqipëri i saj është 26-vjeçari Avdjol Dobi.

Vetëm katër muaj pas regjistrimit, DH Albania u shpall fituese e dy tenderave të njëpasnjëshëm. Ajo fitoi lotin e parë të Unazës së Re me vlerë 18 milionë euro si dhe një kontratë rreth 10 milionë euro nga Operatori i Sistemit të Transmetimit, OST për ndërtimin e një linje të transmetimit të energjisë për të lidhur Burrelin me Peshkopinë. Suksesi i shpejtë i kompanisë u ngrit mbi dokumente të falsifikuara. Sipas rekordeve të dorëzuara në QKB, Dunwell Haberman pretendonte se ishte themeluar në vitin 1998 dhe se kishte një aktivitet të dendur ekonomik prej qindra milionë dollarësh në tre vitet e fundit në Shtetet e Bashkuara.

Por edhe pse i fundit, ky nuk ishte rasti i vetëm, pasi vitet e fundit, kompanitë offshore kanë rritur prezencën e tyre ne Shqipëri duke përfituar kontrata të rëndësishme koncesionare.

Tetë muaj më parë, pas falimentimit të “Gulf” u zbulua se në fakt emri i njohur karburanteve kishte si pronarë një kompani “offshore” në parajsat fiskale, kurse aksionerët ishin krejt të panjohur. “Gulf” e nisi aktivitetin e vet në Shqipëri në shator të 2013 me krijimin e shoqërisë “Sun Petroleum”. Por 6 muaj më vonë në shkurt të vitit 2014 shoqëria u ble nga kompania “offshore” “Universal Energy Grup”, duke krijuar kështu një skemë zinxhir kompanish guaskë, përmes së cilës nuk mund të arrihet tek pronarët e vërtetë. Pa njoftuar asnjë procedurë falimenti apo kërkese për mbyllje aktiviteti, Gulf shiti tollona nafte dhe benzine me çmime deri 30 për qind më të ulëta se tregu dhe i la klientët me copa letre në duar që nuk përdoreshin më.

Kërcënimi terrorist

Autoritetet evropiane theksojnë se një nga kërcënimet e kompanive offshore është edhe financimi i terrorizmit. Moneyval shkruan se duke u justifikuar këtë nga niveli i ulët i kërcënimeve terroriste, Shqipëria nuk ka qasje sistematike për identifikimin dhe hetimin e financimit të terrorizmit, duke bërë që veprat e lidhura me terrorizmin mos të hetohen siç duhet.

“Shqipëria mund të jetë duke zbatuar pjesërisht kërkesat për identifikimin e pronarëve përfitues përmes kërkesave që vijnë nga masat kundër pastrimit të parave apo lufta kundër terrorizmit për entitetet raportuese për të kryer verifikimin e pjesës që përfshin identifikimin e pronarëve përfitues të personave juridikë”, thekson raporti”. “Vetëm në rast se drejtorët apo anëtarët partnerët, aksionarët, themeluesit janë në të vërtetë pronarët përfitues informacioni në regjistër do të jetë i duhuri.”

“Në mënyrë të veçantë Shqipëria ka kryer një Vlerësim Kombëtar Risku, ku u analizua risku i pastrimit të parave dhe financimit të terrorizimit në disa sektorë financiarë dhe jo financiarë

Shqipëria është kryesisht në përputhje me kërkesat për identifikimin e llojeve të personave juridikë dhe regjistrimin e informacionit bazë. Megjithatë, ka dobësi në lidhje me vlerësimin e rrezikut lidhur me personat juridik; mungesa e një mekanizmi të qartë për të siguruar se informacioni i ruajtur nga Qendra Kombëtare e Biznesit dhe Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë është i saktë dhe të dhënat e mbajtura nga gjykata janë të përditësuar në mënyre të vazhdueshme; mungesa e sanksioneve për shoqatat, fondacionet dhe qendrat për të rifreskuar informacionin e regjistruar; mekanizëm për të siguruar disponueshmërinë, saktësinë dhe monedhën e informacionit të përfituesit të titullit, dobësitë në lidhje me rregullimin e aksioneve të bartësit dhe drejtorët e emëruar” vlerëson raporti.

Moneyval ngre po ashtu alarmin se Shqipëria nuk ka identifikuar ende OJF që janë ngritur për pastrim parash. Autoritetet evropiane deklarojnë në vendin tonë nuk ka një sistem mbikëqyrjeje për financimin e OJF-ve. Sipas tyre, hetimet mbi pastrimin e parave në vendin tonë rrallëherë rezultojnë në aktakuza dhe procedurat e pastrimit të parave hidhen vazhdimisht poshtë nga prokuroria.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë