Treg

Kompanitë e telekomunikacionit rritën të ardhurat, por ulën investimet

Tregu i komunikimeve elektronike e postare u rrit edhe gjatë 2021-shit duke kaluar dhe vitin 2020, me të ardhura totale 35.4 mld lekë.

Vetëm tregu i telefonisë celulare ka raportuar të ardhura prej 24.5 mld lekë, me 3% më shumë se sa në 2020-n.

Pjesa më e madhe të ardhurave i përket Vodafone Albania mobile, me 12.7 miliardë lekë. Në vend të dytë u rendit One Telecommunications që realizoi një xhiro vjetore prej 8.6 miliardë lekësh. Ndërkohë që kompania e tretë, Albtelecom mobile, raporton një xhiro vjetore 3.1 miliardë lekë.

Të ardhurat nga komunikimet elektronike të raportuara nga ofruesit e shërbimeve nga rrjetet fikse për vitin 2021 tejkaluan vlerën prej 10.9 miliardë lekë. Kjo përbën një rritje me rreth 15% në krahasim me vitin 2020.

Më shumë se 80% e të ardhurave të këtij tregu gjenerohen nga 3 operatorët kryesorë, konkretisht: Albtelecom sh.a (34%), Vodafone sh.a (24%), ASC (7%).

Bazuar në raportimet e kryera, përgjatë vitit 2021, sipërmarrësit e rrjeteve fikse kanë kryer rreth 2.4 miliardë lekë investime, të cilat kryesisht kanë si destinacion përmirësimin e aksesit të shërbimeve broadband dhe teknologjisë me fibër.

Në total, kompanitë celulare kanë ulur investimet për vitin e shkuar. Bazuar në të dhënat e raportuara nga operatorët, rezulton se gjatë këtij viti janë investuar në total rreth 4.6 miliardë lekë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë