Treg

Kompanitë e sigurimit mblodhën mbi 18 mld lekë në 9 muaj. 60% nga kontratat e makinave

Nga Gazeta 'SI' - Në 9 muaj, kompanitë e sigurimeve në Shqipëri kanë arkëtuar 18.3 mld lekë, 7.4% më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë. kontratat e lidhura gjatë kësaj kohe u shtuan me 7.7%, duke kaluar mbi 1.1 mln. Shifrat tregojnë për ecuri të mirë të tregut, por ritmi i rritjes është më i ngadaltë se një vit më parë.

Kontratat e sigurimit të jo-jetës mbajnë peshën kryesore të tregut, me 91.92%, ato të jetës 8.05%. Sigurimi vullnetar zë rreth 40% dhe ai i detyrueshëm 60%.

Sigurimet e detyrueshme, ku dominojnë sigurimet e makinave arkëtuan mbi 11 mld lekë në 9 muaj, me rritje rreth 8% në raport vjetor.

Sigurimet vullnetare arkëtuan më shumë se 7 mld lekë, me rritje 6.5%. Në portofolat e Pronës, Përgjegjësive, Garancive të cilat gjatë periudhës janar - shtator 2024 siguruan mbi 3 mld lekë të ardhura në total, vendin e parë e zunë Zjarri dhe Dëmtime të Tjera në Pronë me rreth 68.9%, të pasuara nga sigurimi i Përgjegjësisë së Përgjithshme me 22% të totalit.

Në portofolin sigurimi nga Zjarri dhe Forcat e Natyrës, gjatë periudhës janar - shtator 2024, vihet re një rritje prej 3.43% e vëllimit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli dhe një rritje me 2.09% e numrit të kontratave të sigurimit, krahasuar me periudhën  janar - shtator 2023.

Të ardhurat nga sigurimet e Aksidenteve dhe Shëndetit, gjatë periudhës janar - shtator 2024, arritën në rreth 1 mld lekë, duke shënuar një rritje prej 2% në krahasim me periudhën  janar - shtator 2023.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë