Treg

Kompanitë e sigurimeve po paguajnë më pak dëme këtë vit

Në 6 mujorin e parë të këtij viti shuma totale e dëmeve të paguara u ul me 8.3% krahasuar  me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar duke rënë në nivelin 3.7 miliardë lekë, sipas të dhënave të Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare.

Rënia e dëmeve ka ardhur nga segmenti më i madh i tregut, ai i sigurimeve të jo-jetës, ku deri tani këtë vit janë paguar 10.6% më pak dëme krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Edhe dëmet e paguara për fondin e kompensimit të Byrosë Shqiptare të Sigurimit, janë tkurrur me 11.4%.

Raporti mes dëmeve të paguara bruto dhe primeve të shkruara bruto gjithashtu ka rënë në 42.2%, nga 54.1% që kishte qenë një vit më parë.

Vitin e kaluar, tregu i sigurimeve pagoi dëme në vlera të mëdha të lidhura me tërmetin e nëntorit 2019 ku Sipas vlerësimeve të AMF-së, fatura totale e dëmeve të tërmetit arriti në rreth 4.7 miliardë lekë ose rreth 38 milionë euro.

E gjithë rënia në vlerën e dëmeve të paguara në fakt ka ardhur pikërisht nga produkti i sigurimit të katastrofave, ku për 6-mujorin e parë të vitit dëmet e paguara kanë rënë me 75% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Për klasat e tjera të sigurimit dëmet paraqiten në rritje me ritme dyshifrore.

Sigurimet e detyrueshme motorrike kanë një rritje të fortë të vlerës së dëmeve të paguara me 57.5%. Kjo mund të lidhet edhe me efektet e kufizimeve në gjysmën e parë të vitit të kaluar, që sollën përkohësisht ulje të qarkullimit, aksidenteve dhe rrjedhimisht edhe dëmeve për siguruesit. Këtë vit, rritja e dëmeve duket se tregon më shumë një rikthim drejt normalitetit.

Ajo që bie gjithashtu në sy është një rritje e fortë e dëmeve në tregun e sigurimit të jetës, me 60% më shumë krahasuar me një vit më parë.

Ky treg duket se ka vuajtur pasojat e rritjes së numrit të vdekjeve, për shkak të pandemisë. Në produktin kryesor, atë të sigurimit të jetës së debitorit, vlera e dëmeve për 6-mujorin 2021 është rritur me 146% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë