Treg

Kompanitë e sigurimeve arkëtuan 5.6 mld lekë në 3 muaj. Bien dëmshpërblimet për aksidente

Nga Gazeta ‘SI’ – Në tre muajt e parë të vitit, kompanitë e sigurimeve kanë arkëruar 5.58 mld lekë, me një rritje prej 7% nga viti i shkuar. Numri i kontratave të nënshkruara është shtuar me rreth 12% në raport vjetor.

Tregu vazhdon të dominohet nga sigurimet e jo-jetës, të cilat sollën 90.45% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, ndërsa sigurimet e jetës vetëm 9.48% dhe risigurimi me një përqindje tepër të vogël.

3.4 mld lekë u arkëtuan nga sigurimi i detyrueshëm i mjeteve dhe 2.2 mld nga sigurimet vullnetare.

Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 39.56% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 60.44% të totalit të tregut.

Në portofolat e Pronës, Përgjegjësive, Garancive të cilat gjatë Janar-Mars 2025 siguruan mbi 860milionë lekë të ardhura në total, vendin e parë e zunë Zjarri dhe Dëmtime të Tjera në Pronë me rreth 64.4%, të pasuara nga sigurimi i Përgjegjësisë së Përgjithshme me 22.64% të totalit.

Në portofolin sigurimi nga Zjarri dhe Forcat e Natyrës, gjatë tremujorit 2025, vihet re një ulje prej 13.42% e vëllimit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli dhe një rritje me 8.08% e numrit të kontratave të sigurimit, krahasuar me Janar-Mars it 2024.

Pagesat e dëmeve gjatë Janar-Mars 2025 u ulen me 3.77% krahasuar me Janar-Mars 2024. Pjesa më e madhe e dëmeve të paguara bruto i përket sigurimit motorik me rreth 1.4 mld lekë, apo 75.70% të totalit të dëmeve të paguara bruto.

Aktualisht, në Shqipëri operojnë gjithsej 9 kompani sigurimi të cilat ofrojnë shërbimet e sigurimit të jetës dhe jo jetës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë