Treg

Kompania kineze që po “mbërthen” portet e Ballkanit

Një nga kompanitë më të mëdha të transportit detar në botë duket se ka mbërthyer brenda një periudhe të shkurtër pothuajse të gjitha portet e Ballkanit, për t’i hapur më pas rrugën qeverisë kineze që të “futë këmbët” në rajon.

Kompania kineze COSCO ka hapur zyrtarisht degën e saj të parë në Sarajevë. Gjigandi detar vepron tanimë në Kroaci dhe Serbi dhe po angazhohet gjithnjë e më shumë në Ballkan si pjesë e strategjisë së Pekinit për projektin infrastrukturor "Një rrip një rrugë", i cili do të lidhë Kinën, Azinë Juglindore, Europën dhe Afrikën e Veriut.

"Angazhimi i kompanisë në Bosnjë sinjalizon dhe se të dyja vendet do të vazhdojnë të zhvillojnë marrëdhënie miqësore dhe afariste. Ne jemi të bindur se kjo do të sjellë përparim ekonomik për Bosnjën", tha Meliha Mujezinoviç, kreu i zyrës së COSCO-së në Bosnjë.


Një anije e COSCO-s në portit në Pireut

Kompania e njohur kryen momentalisht transporte nga portet e Koparit në Slloveni, atij të Rijekës në Kroaci, Beogradit në Serbi, Pireut në Greqi dhe tanimë në Sarajevë. I vetmi që duket së e ka pasur të vështirë të gjejë vendin e tij në këtë hartë të madhe investimesh duket se është porti i Durrësit. Në shtator të vitit të kaluar Greqia dhe Bullgaria nënshkruan një memorandum bashkëpunimi për lidhjet hekurudhore midis porteve të Selanikut, Kavallës dhe Aleksandropulit dhe Detit të Zi dhe Danubit, por vendi ynë nuk u përfshi as edhe në këtë projekt që do të ishte jetësor për rindërtimin e linjës së rrënuar hekurudhore të Shqipërisë.

Kina kudo nëpër Ballkan

Me nisjen e iniciativës "Një Brez, Një Rrugë", Kina është bërë një lojtar i fuqishëm në Ballkan. Në vitin 2014 Kina caktoi një fond investimesh prej 3 miliardë dollarësh veçmas për rajonin e Ballkanit. Ndërkohë që po bëhet gati të ndërtojë një rrejt te madh infrastrukturor përmes Eurazisë, vendet e Ballkanit kanë një pasuri të vlefshme për t'i ofruar Kinës: gjeografinë e tyre. Kina e sheh Ballkanin si një port të çmuar midis Mesdheut dhe Europës Qendrore dhe si një urë gjeopolitike midis botës perëndimore dhe Euroazisë.  Në qendër të planit të qeverisë kineze është ndërtimi i një  "rrugë të re mëndafshi", një udhë transporti moderne, e cila do të përmbajë korridore tregtare dhe detare që shkojnë nga Shangai në Berlin, nëpërmjet Europës Lindore dhe Qendrore.

Një anije e COSCO-s në portit e Rijekës 

Në frontin ekonomik, hyrja dinamike e Kinës në rajon filloi me hyrjen e COSCO-S në portin e Pireut, për t’u përhapur më pas në gjithë rajonin. Mediat greke dhe ato kroate shkruajnë se bankat shtetërore kineze ofrojnë hua me interes të ulët për bizneset vendase. Madje në një raport të kohëve të fundit të Bankës Europiane të Rindërtimit dhe Zhvillimit, ekonomisti Jens Bastian vuri në dukje se  kompania kineze e transportit i kishte hapur rrugën investimeve të tjera për ndërtimin e  linjave hekurudhore në Ballkan.

Këtë qershor COSCO-ja kishte gjithsej 393 kontejnerë, duke u renditur në vendin e katërt në botë dhe vendin e parë në Azi. Ajo mbulon 294 porte në 90 vende. Shtrirja e veprimtarive të saj në Bosnjë nuk ishte rastësi, pasi Sarajeva është përzgjedhur edhe për katër projekte të tjera kinezë: termocentralin Stanari, termocentralet në Tuzla dhe Zenica, si dhe autostradën Banja Luka-Mliniste-Split. Por këtë vit, Kina pritet që të investojë në termocentralin Gacko 2 në Republikën Srpska. Pasi të zbatohen, të gjitha këto projekte, të ndërtuara përmes financimit kinez dhe të pajisura me teknologjinë kineze, Pekini do të radhitej padyshim në krye të listës të shkurtër të investitorëve dhe kreditorëve të Bosnjës.

Një anije e COSCO-s në portit në Pireut

Pasi grupi COSCO bleu 51 për qind të aksioneve në portin e Pireut, banka shtetërore kineze “Exim Bank” ka dhënë hua për ndërtimin e dy autostradave në Maqedoni. Po atë vit presidenti kinez Xi Jinping vizitoi Serbinë, ku nënshkroi një marrëveshje për 5.5 miliardë euro investime në infrastrukturën e vendit. Në Malin e Zi, banka Exim financon përmirësimin e autostradës që lidh qytetin e Banit me Serbinë, pavarësisht paralajmërimeve nga Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar se projekti rrezikoi stabilitetin fiskal të vendit të vogël ballkanik.

Po Shqipëria?

Duke qenë se e percepton vendin tonë si pjesë të "rrugës së re të mëndafshit” Kina ka bërë investime të ngjashme edhe në Shqipëri. Ambasada kineze në vendin tonë i ka ofruar Bashkisë së Cërrikut dhjetëra makineri bujqësore, të cilat pritet të mbërrijnë para 2019-ës dhe është shprehur e gatshme të hapë rrugën për importimin një pjesë të mirë të produkteve bujqësore dhe industriale të vendit tone.

Tani për tani, Kina është bërë një partner i vlefshëm tregtar për Shqipërinë, pasi një sërë kompanish si Geo-Jade Petroleum kanë gjetur një territor mjaft pjellor investimesh. Kompania me bazë në Shangai bleu të drejtat e kontrollit të dy fushave të naftës në Patos-Marinzë, për 442.3 milionë dollarë. Në vitin 2016, një tjetër kompani mori me koncesion për dhjetë vitet e ardhshme Aeroportin Nënë Tereza. Po atë vit, Kina u bë partneri i dytë më i madh tregtar për Shqipërinë. Sipas “Santander Bank”, investimet e huaja direkte në Shqipëri tani përbëjnë 50% të PBB-së së vendit tonë.

Porti i Durrësit

Por qasja e Kinës në Shqipëri dhe rajon është e ndryshme nga ato të lojtarëve të tjerë të përfshirë. Kina nuk ka ndërmend të angazhohet për ndërtimin e unioni ambicioz të ngjashëm me Bashkimin Europian, nuk dëshiron të ketë një prani ushtarake siç kanë Shtetet e Bashkuara përmes NATO-s dhe ndryshe nga Rusia ajo nuk dëshiron të veprojë si një fuqi që rrezikon stabilitetin e vendeve të Ballkanit . Kina ofron thjesht miqësi politike nëpërmjet bashkëpunimit pragmatik dypalësh dhe duke riparuar infrastrukturën e shkatërruar të vendeve të Ballkanit. Në këtë mënyrë, Kina blen njëkohësisht pushtet politik brenda kryeqyteteve të Ballkanit, ndërkohë që kohë shtyn përpara iniciativën “Një rrip një rrugë”.

Burimet: "Balkan Insight", "Forbes"


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë