Nga Gazeta ‘Si’- Një 14-vjeçar dyshohet se është dhunuar fizikisht dhe psikologjikisht nga efektivët në komisariatin nr.1 të Policisë në Tiranë, pasi ishte shoqëruar për shkak se kishte hedhur kapsolla.
Rasti është denoncuar nga Komiteti i Helsinkit, ku kërkon që të hetohet rasti, teksa ngjarja ka ndodhur më 12 Prill.
Kanë qenë prindërit e të miturit, ata të cilët e kanë denoncuar ngjarjen tek Komiteti i Helsinkit dhe ky i fundit bën me dije se pas verifikimit të rastit ka rezultuar se i mituri kishte një hematomë në krahun e syrit të djathtë dhe se nuk rezulton të jetë vizituar nga mjeku.
Ndërkohë, në mbrëmjen e të njëjtës ditë, i mituri me kërkesë të prindërve është dërguar në spitalin e Traumës dhe nga ekspertiza mjekësore ka rezultuar se 14-vjeçari ishte goditur me grushta.
Bëhet me dije se prindërit e të miturit, më 13 Prill kanë depozituar një kallëzim pranë Agjensisë së Mbikqyrjes Policore si dhe në Prokurorinë e Tiranës.
Komiteti i Helsinkit i bën thirrje institucioneve përgjegjëse ta hetojnë këtë rast me përparësi dhe seriozitet, me qëllim zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe parandalimin e situatave të ngjashme në të ardhmen.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.