Politike

Komiteti i Helsinkit për 30 qershorin: KQZ-së i mungoi guximi

Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka publikuar raportin përfundimtar të monitorimit të zgjedhjeve të 30 qershorit. Raporti nis me sqarimin se për vlerësimin e këtyre zgjedhjeve si të ligjshme apo jo duhet të vendosin organet kompetente dhe më pas vëren disa problematika, të hasura para, gjatë dhe pas procesit të votimit.

Shkeljen e parë, KShH e gjen që me nisjen e fushatës elektorale. Komiteti thotë se Partia Socialiste shkeli Kodin Zgjedhor duke e filluar fushatën elektorale para afateve të parashikuara nga Kodi Zgjedhor, ndërsa qorton KQZ-në për mungesë kurajoje për t’iu kundërvënë partive politike, ku i gjen me këto shkelje.

“Aktivitetet politike me natyrë elektorale të subjektit zgjedhor “Partia Socialiste” filluan para afatit ligjor (31 Maj 2019). Kjo fushatë e parakohshme bie ndesh me përmbajtjen dhe frymën e nenit 77 të Kodit Zgjedhor, ndaj KShH iu drejtua KQZ-së me një letër publike. Përfaqësuesit e KQZ-së kërkuan takim lidhur me këtë çështje. KShH vlerëson se kërkimi i takimeve për provueshmërinë e fakteve të cilat janë publike, tregon mungesë të kurajos dhe pavarësie të KQZ-së për t’u përballur me forcat politike për këto raste”, thuhet në raport.

Raporti kujton bojkotin e opozitës të procesit dhe vë në pikëpyetje paanshmërinë e anëtarëve të zgjedhur nga shoqëria civile për të zëvendësuar komisionerët e opozitës. KShH kujton përplasjet në disa KZAZ dhe thekson se në disa raste pjesë e këtyre përplasjeve ishin përfaqësues të opozitës dhe të personelit të bashkive opozitare.

Për ditën e votimit, Komiteti vëren deklaratat kontradiktore të dala nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sa i takon pjesëmarrjes. KShH e cilëson mungesë serioziteti këtë, ndërkohë që denoncon se në disa raste, vëzhguesitkanë hasur në prani të personave të paautorizuar në ambientet e brendshme të qendrave të votimit.

Për procesin e numërimit, KShH thotë se u zhvillua i paqtë dhe pa problematika madhore, përveç vonesës së nxjerrjes dhe koordinimit të rezultateve. Për pjesëmarrjen, duke e krahasuar me dy proceset e fundit zgjedhore, KShH vëren një numër të madh votuesish që nuk e ushtruan të drejtën e tyre.

“Nga të dhënat përfundimtare të publikuara nga KQZ, në këto zgjedhje morën pjesë 811,727 zgjedhës ose 22.96% e numrit të përgjithshëm. Në raport me pjesëmarrjen e zgjedhësve në zgjedhjet e mëparshme parlamentare të vitit 2017 konstatohet një rënie prej 23.76% të numrit, ndërkohë në raport me zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të vitit 2015 vërehet se 24.9% me pak zgjedhës i janë drejtuar qendrave të votimit”, thuhet në raport.

KShH thekson se në këtë përllogaritje duhet të mbahet parasysh edhe situata e pazakontë politike në të cilat u zhvilluan këto zgjedhje. “KShH vëren se në tërësi, i gjithë ky proces i shoqëruar me një retorikë të ashpër politike, pati shumë pak në vëmendje nevojat reale të zgjedhësve”, thuhet aty.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë