Sociale

Komiteti i Ekspertëve: Hiqet ora policore, lëvizja pas 23:00 pa kufizime

Komiteti i Ekspertëve vendosi të heqë orën policore si rezultat i relaksimit të situatës epidemiologjike.

Zëvendësministrja e shëndetësisë, Mira Rakacolli shpjegoi gjatë mbledhjes së Komitetit Teknik ditën e mërkurë se do të kemi të njëjtin nivel masash të tjera. Ajo shtoi se rregullat që vijojnë të mbeten janë:

-Personat e infektuar me Covid-19 do të qëndrojnë të izoluar për 5 ditë.

-Mbetet në fuqi paraqitja e certifikatës së vaksinimit.

-Maska është e detyrueshme në të gjitha ambientet e mbyllura.

-Për eventet mbetet në fuqi masa për 30% të prezencës së kapacitetit.

-Në aeroporte, pasagjerët që vijnë në Shqipëri duhet të paraqesin certifikatë vaksinimi ose test PCR.

Më tej ekspertët e Komitetit Teknik këshilluan që të gjithë fëmijët +12 vjeç të kryejnë vaksinimin sepse ata janë një moshë aktive dhe të rrezikuar nga infeksioni Sars-Cov-2

Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Eugena Tomini shpjegoi se javët e fundit vendi ka pasur një incidencë më të ulët të rasteve.

“Referuar të dhënave statistikore të 2021, kemi indikatorët matës shumë më të ulët krahasuar me të njëjtat periudha. Sa i përket incidencës dy javore, e kemi në nivelin e 97.6%. Indikatorëve matës i bashkohet edhe grup mosha që ka tendencë në rënie në të gjitha moshat, por ka një tendencë të luhatur te të miturit”, shpjegoi Tomini.

Ajo shtoi se mesatarja ditore e rasteve të paktën javën e fundit ka qenë 147 në ditë, ndërkohë incidenca është ulur në nivelin e 36 rasteve për 100.000 banorë, me një nivel ulje rreth 40%.

Eksperti i Shëndetit Publik, Alban Ylli ka shpjeguar se ritmet e vaksinimit kanë vijuar normalisht por duhet të të punohet edhe më shumë në këtë drejtim.

Ai tha gjatë mbledhjes se në popullatën target mbi 16 vjeç janë vaksinuar 61% e qytetarëve me një dozë dhe 57% me të dyja dozat. Ylli shpjegoi se popullata +60- vjeç paraqitet me një nivel më të lartë të vaksinimit në krahasim me popullatën e përgjithshme. Tek kjo grup moshë është 70% mbulesa vaksinale.

Ndërsa, drejtoresha e spitalit Covid1, Najada Çomo, tha se numri i pacientëve të shtruar është ulur muajit e fundit dhe aktualisht ka 50 të shtruar, por megjithatë çdo ditë në vendin tonë humbin jetën njerëz të infektuar me virusin.

“Ka rreth 1, 2 ,3 vdekje në ditë. Nëse këta do të ishin vaksinuar, pa diskutim që ky numër do të ishte shumë më i ulët. Unë bëjë thirrje permanente, që pavarësisht se kemi ulje ‘arma” jonë është vaksina”, tha ajo.

Sa i përket infektimeve tek moshat pediatrike, Gjeorgjina Kuli shpjegoi se javën e fundit është parë një ulje e numrit të infektimeve dhe konkretisht dy ditët e fundit nuk ka pasur shtrime në pediatrinë infektive.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë