Komiteti Kombëtar për Digat e Mëdha (KKDM) u shpreh se mbetet në pritje të Ujësjellësit të Tiranës, i cili duhet të dorëzojë studimin e përditësuar për digën e Liqenit Artificial. Pak javë më parë Komiteti ka kthyer për herë të dytë mbrapsht studimin për digën e Liqenit. Ujësjellësi i Tiranës, sipas KKDM, ka paraqitur të njëjtin studim të hartuar në vitin 2017, studim që asokohe nuk u mor parasysh për shkak të mangësive që kishte.
“Studimi i UKT në lidhje me llogaritjen e valës dhe hartat e përmbytjeve për digën e liqenit artificial të Tiranës. Nga shqyrtimi i dokumentacionit të ardhur, rezulton se Studimi është përgatitur në vitit 2017 dhe nuk ka marrë në konsideratë asnjë prej kërkesave të KKDM të shprehura në atë kohë e cila për mangësitë që kishte nuk e ka miratuar. KKDM nuk e miraton këtë studim dhe i kërkon UKT të përgatit planin e emergjencave civile duke përfshirë edhe llogaritjet e valës në rastet e prishjes së digës si dhe hartën e përmbytjeve në zonën urbane poshtë digës së liqenit artificial në përputhje me kërkesat e legjislacionit ne fuqi” thuhet në shpjegimin e Komitetit ku njoftohen vendimet e marra.
Komiteti i Digave shprehet se studimi i paraqitur rishtazi dhe i hartuar vite më parë nuk përmban të dhënat e kërkuara të rifreskuara sipas zhvillimit urban që ka pësuar kjo zonë vitet e fundit. Komiteti nga ana tjetër ka kërkuar që të dorëzohet edhe një projekt për rehabilitetimin e sistemit të shkarkimit dhe të ujëlëshuesit të digës së Liqenit Artificial të Tiranës, i cili nuk është rehabilituar që pas incidentit të 20 viteve më parë, kur për shkak të hapjes së Digës së Liqenit, u përmbyt një pjesë e mirë e zonës përreth.

Komiteti ka kërkuar gjithashtu që të bëhen edhe matje mbi sasinë e ujit në liqen, kurba aktuale e volumeve dhe sipërfaqes si dhe analizë e sedimenteve dhe mbetjeve të ardhura në liqen.
Në mbledhjen e vete të fundit, KKDM ka kthyer mbrapsht edhe një projekt të Bashkisë së Kamzës e lidhur kjo me digën e Paskuqanit dhe rehabilitimin e saj.
“Dokumentacioni teknik i paraqitur nga Bashkia Kamëz për procesin e kolaudimit të punimeve të zbatimit për projektin e rehabilitimit të digës së Paskuqanit. Nga shqyrtimi i dokumentacionit të paraqitur rezultoi se dokumentacioni nuk është në përputhje me kërkesat e legjislacionit në fuqi si dhe udhëzimeve të KKDM”, thuhet në njoftimin e këtij institucioni.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




