Politike

Komisioni Xhafaj/ Celibashi: Problem, financimi i partive! Ndryshuat Kodin por latë pa zgjidhur financimin

Nga Gazeta ‘Si’- Në prag të fushatës elektorale të zgjedhjeve të pranverës së 2025, kreu i KQZ Ilirjan Celibashi ngriti alarmin e kuq për financimin e partive, problematikë që vijon të nënvizohet në çdo raport post-zgjedhor.

Nga Komisioni “Xhafaj” ku po zhvillohej një tryezë diskutimi me ekspertë për parandalimin e korrupsionit politik, Celibashi tha se pikërisht adresimi i financimit te dyshimtë është pikënisja e zgjidhjes së problemit.

“Elefanti në dhomë është financimi i partive dhe kandidatëve, pasi mënyra sesi zgjidhen, apo krijojmë qeverisjen tonë varet edhe nga përcaktimi i cilësive të kësaj qeverisje, ndaj është me rëndësi të adresojmë financimin e partive politike, partive dhe kandidatëve, apo fushatave në përgjithësi.”

Celibashi kritikoi Kuvendin se pavarësisht se ndryshoi Kodin Zgjedhor disa muaj më parë, sërish la pa zgjidhur çështjen e financimit të partive, kandidatëve apo fushatave të tyre.

“Këto rekomandime, nuk u adresuan nga Kuvendi, çështjet që lidhen me rregullat e mekanizmit të financimit, vlerave të financimit, mekanizmit kontrollues nga palët e treta, rregullat mbi zhvillimin e fushatës zgjedhore në mediat online e rrjetet sociale nuk u rregulluan në amendimin e kodit zgjedhor. Po i sjell në vëmendje dhe ndoshta palët e interesuara do të gjejnë rrugën e ndryshimit të përshtatshëm.”

Në tryezën që Komisioni i drejtuar nga Fatmir Xhafaj po zhvillon me ekspertë, e disata e këtij lloji, e pranishme ishte edhe Avokatja e Popullit Erinda Ballanca e cila tha se nëpunësit civilë pezullojnë statusin e tyre për të bërë lirshëm fushatë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë